Bienalja 2017 është zhvendosur mbrëmjen e kaluar në mjediset e Muzeut Arkeologjik të Durrësit. Mes eksponatëve dhe objekteve qindravjeçare, në muze ishin mysafirë vëllezërit Gaqi, të cilët interpretuan së bashku në piano një sërë veprash të autorëve tanë dhe të huaj.

Pirro dhe Gjergj Gaqi, bijtë e kompozitorit Thoma Gaqi, ishin protagonistët e Natës së Muzikës Pianistike, pjesë integrale e Bienales që ka nisur në vitin 2003. Dy vëllezërit interpretuan në pjesën e parë sonatina dhe sonatë nr 1 nga J.S. Bach (1685-1750), nga Christoph Willibald Gluck (1714-1787) pjesë nga opera “Orfeu dhe Euridiçe” dhe nga Constantin Silvestri (1913- 1969) “Valle rumune nga Transilvania”.

“Duo Gaqi Piano” më pas luajti dy valle sinfonike nga Thoma Gaqi (1948- ), suitë Latino-amerikane dhe Bahama Rumba nga John Carmichael (b. 1930), ndërsa nga Alexander Rosenblatt (1956- ) interpretuan Konçertino me dy tema ruse. Koncerti u mbyll me dy pjesë nga Scott Joplin (1868-1917).

Publiku i pranishëm vlerësoi interpretimin e dy vëllezërve, që pas një karriere të shkurtër në Tiranë janë zhvendosur në vende të ndryshme në Evropë dhe SHBA. Pas koncerteve në Korçë dhe Tiranë Duo Piano Gaqi paraqitet për të tretën herë para publikut shqiptar.

Të lindur në një familje muzikantësh, duke pasur njëkohësisht një karrierë solistike individuale, ata fillojnë të koncertojnë si Duo në vende të ndryshme të Europës dhe Amerikës së Veriut, ku kanë si qëllim krijimin e një ure muzikore midis dy kontinenteve, duke i sjellë publikut një repertor me vepra të shumëllojshme ndërkombëtare. Gjergj Gaqi tashmë është profesor pianoje tek Tyler Junior College në Texas (Sh.B.A.). Ndërsa Pirro, aktualisht është profesor në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Galacit (Rumani).

Pas koncerteve dhe bisedave në hollin e Teatrit “Moisiu”, në Kishën “Shën Luçia” apo në spitalin rajonal dhe Institutin e minorenëve në Kavajë, Bienalja 2017 edhe për tre mbrëmje të tjerë, deri të martën, do të mbetet në mjediset e Muzeut Arkeologjik të qytetit. Sot në mbrëmje do të interpretohen pjesë nga kompozitorët e persekutuar në “Natën e muzikës së hummbur”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: