Nga BESIM NDREGJONI

Shumica e popullsisë shqiptare nuk e ndien veten të qetë, qoftë nga kujtimet e frikës së madhe të së kaluemes, qoftë për arsye se kanë “përkrahë” regjimin e terrorit stalinjan enverist, bashkudhëtarë me dhunë ose me dëshirë, dhe ndihen të turpëruar që kanë mbajtë heshtjen gjatë ditëve kur ishte moralisht imperative me ngritë zanin e protestës. Rrëzimi i sistemit komunist e gjeti shoqërinë shqiptare pa ndonjë elitë intelektuale, për arsye se pjesa më e madhe e saj qe bërë njësh me ideologjinë staliniste totalitare. Sigurisht, shërbëtorët e regjimit nuk mund të kishin një ndërgjegje qytetare dhe aftësi për të qenë udhëheqësit e refleksioneve të thella të daljes së shqiptarëve nga qorrsokaku gjysmëshekullor komunist. Lëvizja e Dhjetorit e viteve ‘90 ishte e pritshme nga ngjarjet që rrodhën në Europën Juglindore dhe me ramjen e Murit të Berlinit.

Por përshpejtimi i kësaj lëvizjeje te ne ndodhi me vrasjen nga turmat të Çausheskut, liderit komunist rumun, që pushteti politik diktatorial në Shqipëri të ndryshonte. I kam përjetuar ato ditë të dhjetorit ‘90 me një ndjesi të veçantë dhe me një besim të madh për ndryshimin e një sistemi diktatorial, i paparë në të gjithë Europën e Pasluftës së Dytë Botërore, por edhe si një dritë që do ndriçonte mendjet e turbullta dhe të indoktrinuara të shoqërisë shqiptare. E vërteta qëndron se ne shqiptarët nuk kishim regjim komunist siç kishte në Çeki, Hungari, Poloni etj., por një regjim terrorist, çnjerëzor, vrastar e përçudnues të vlerave njerëzore. Por, çfarë ndodhi dhe çfarë solli kjo lëvizje?!

Le t’u referohemi të vërtetave të asaj periudhe të vështirë e dramatike në një shoqëri që kishte arritur kulmin botëror me shkeljen dhe dhunimin e të drejtave dhe lirive të njeriut. Duke qenë nën një diktaturë shtypëse barbare, për 45 vite, u ndoq një politikë indoktrinimi mbi popullsinë, që të mbeteshim nën fenomenin e “mitizmit”; edukimi i mitizmit ishte një ndër shtyllat e ideologjisë diktatoriale, ku mitizoheshin diktatori, partia, pushteti diktatorial, lufta civile interpretohej si luftë çlirimtare, komunistët vrasës shpalleshin heronj, pjesa e kundërshtarit antikomunist përbuzej, anatemohej me vulgaritet etj.

A na ndjek sot, mbas 26 vitesh pluralizëm, fenomeni i “mitizmit” si shoqëri?! Në bindjen time dhe të antikomunistëve shqiptare them: Po. Po i rendis faktet: “Mitizimi” si fenomen negativ ka zënë rrënjë dhe përdoret nga politikëbërja postkomuniste. Pushtetarët e tanishëm sillen me një lloj fudullëku mitizues ndaj elektoratit, të cilit i kanë marrë votën. Dihet që ndryshimi i sistemit në Shqipëri nuk dënoi Partinë Komuniste, ose Partinë e Punës, por thjesht ndërroi emrin në “Parti Socialiste” dhe u lejua të ishte bashkudhëtare në ndryshimin e sistemit, sikur kjo parti nuk mbante dhe nuk kishte përgjegjësi për krimet makabre që kishte kryer për 45 vite.

Kjo forcë politike nuk dënoi apo demonstroi një herë të vetme ndjesë për krimet që kishin kryer etërit e tyre ndaj popullit shqiptar. Lëvizja e Dhjetorit ‘90 ishte shpërthim i një vrulli rinor, e cila kërkoi të drejta dhe kushte për mizerabilitetin që kishin në konvikte, të shtyrë edhe nga ngjarjet ndërkombëtare, kërkoi pluralizmin politik, dhe kjo lëvizje në heshtje miratohej nga pushteti diktatorial, të cilit i kishte hyrë frika në palcë nga vrasjet që ndodhën në Rumani. Lëvizja e Dhjetorit e pati jetëgjatësinë katër ditë, kur më 12 dhjetor u krijua Partia Demokratike nga intelektualët konformistë. Si partia e parë opozitare, ajo nuk e kishte sensibilizimin dhe ndërgjegjësimin si parti antikomuniste të kërkonte shkrirjen e Partisë Komuniste – vrastarja e lirisë së shqiptarëve. Dhe, ky mosveprim ishte fatal për Shqipërinë, se nuk u dënuan krimet komuniste, por ajo u dakordësua me të në qeverisje.

Përballë këtij realiteti ndodhej pjesa tjetër e shoqërisë, antikomunistët shqiptarë, që sundimin diktatorial e kishin përballuar me një stoicizëm të paparë në historinë e popujve. Antikomunistët shqiptarë gjatë gjithë periudhës diktatoriale nuk reshtën së luftuari ndaj atij pushteti vrastar e mizor. Ata u përballën me vrasje e burgime, me internime e përçudnime çnjerëzore. Por nuk u dorëzuan përpara mizorive të diktaturës. Aksionet e tyre kombëtare fillojnë me kryengritjet e Malësisë së Madhe, e Postribës në Veri, me lëvizjen antikomuniste të Zhabokikës në jug, me grupin e deputetëve që nuk pranuan diktatin partiak komunist në drejtimin e shtetit… Thyerja e burgut të Burrelit më 1967-ën, kryengritja dhe revolta e Spaçit kur iu hoq ylli bolshevik, kryengritja e Qafë–Barit, futja në ambasadë e familjes Popa, varja e poetit Havzi Nela (kur gjermanët shembnin murin, udhëheqja komuniste shqiptare varte poetin, duke treguar terrorizmin dhe absurditetin ndaj kundërshtarëve të regjimit)…

Më 20 qershor 1990, ish-i burgosuri politik Burhan Kalaja do të shembte murin e ambasadës italiane dhe do t’u tregonte shqiptarëve se muret duheshin prishur si Muri i Berlinit. Këto ishin aksionet e mëdha kombëtare të ish-antikomunistëve shqiptarë, apo siç e përdor sot politika: të burgosurve e të përndjekurve politikë, se rolin antikomunist ka 26 vite që e përdorin ata që i shërbyen komunizmit stalinjan shqiptar. Përballë këtyre fakteve, sot heshtet dhe flitet me pompozite e me mitizimin komunist për Lëvizjen e Dhjetorit, dhe e mitizojnë duke e paraqitur se kjo lëvizje solli ndryshimin në Shqipëri. “E vërteta vonon, por nuk harron!” – thotë një fjalë e moçme shqiptare. Tani së fundi, në media flitet nga politikanë, analistë të lidhur me diktaturën në mendime, se bijtë përmbysën etërit; a qëndron kjo e vërtetë? Lëvizja e Dhjetorit duhet analizuar me dy anët e medaljes. Brenda Lëvizjes kishte edhe bij komunistësh, edhe bij antikomunistësh të cilët mbas kësaj lëvizjeje i vranë, siç ishte Arben Broci.

Ajo duhet respektuar për vullnetin dhe aksiomën që iu rreshtua Europës për ndryshim, por nuk mund të pranojmë se kjo lëvizje përmbysi etërit, sepse etërit ishin dirigjentët që inkurajuan bijtë të merrnin pushtetin dhe t’i shpëtonin etërit nga krimet që kishin bërë. Faktet më mirë se në ato kohë, shihen sot, mbas 26 viteve: a u dënua krimineli Enver Hoxha; a dolën para drejtësisë të gjithë xhelatët (etërit) që vranë qytetarë të pafajshëm? E kundërta ndodh! Shtypi shqiptar çdo ditë publikon si heronj etërit e Lëvizjes së Dhjetorit! Sot, mbas 26 vitesh, bijtë e etërve jo vetëm që nuk dënuan krimin, por po ndërtojnë një shtet oligarkik e korruptiv. Krahasoni lëvizjen e të bijve në ‘90-ën, me aksionet antikomuniste ndaj etërve që ka bërë klasa antikomuniste nga viti ‘44 deri në ‘90-ën. Sipas këtyre politikanëve konformistë apo dhjetoristë, bij të etërve, historia fillon në ‘90-ën…

Jo, zotërinj, bijtë nuk përmbysën etërit në ‘90-ën!! E vërteta e faktuar është se ata vazhduan të trashëgojnë pushtetin e tyre, pa i vrarë ndërgjegjja për krimet komuniste! Sot krenohen me bëmat e etërve në biseda televizive. Ballafaqimi me të vërtetën do të shkatërrojë totalisht “mitizimin” e ngjarjeve politike që përdoren për interesa ideologjike. Nuk mund të shikojmë përpara nëse nuk hedhim sytë mbi të kaluemen, për sa kohë që nuk kemi kuptue si u bamë kështu, përderisa të kuptojmë se kemi humbë kuptimin e jetës, të qenies gjallë….

* President i Unionit Mbarëkombëtar të Integrimit të të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë


(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: