Në emisionin “Open” në News24 janë trajtuar ngjarjet kyçe të vitit 2024, ku SPAK duket se ka pasur një rol kryesor, veçanërisht përsa i takon arrestimit të ish-Presidentit Ilir Meta, arrestimin e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ndjekjes penale ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili akuzohet për korrupsion, apo hetimeve për Kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.

Analisti Agim Baçi duke komentuar punën e SPAK tha se ajo që ka prekur Prokuroria Speciale nuk ka qenë e lehtë, duke pasur parasysh arrogancën e pushtetit në raport me shkeljet ligjore.

“Dy herë kreu i SPAK, Altin Dumani, ka pohuar se kanë rënë denoncimet e administratës publike lidhur me korrupsionin. Pra ka zbuluar se janë fenomene që nuk mund të zbulohen lehtësisht. SPAK ka guxuar dhe prekur”, tha Baçi.

Por Silva Caka nga PL-ja tha se “SPAK duket se është kthyer në një institucion të statistikave penale, pa kryer hetime, për shumë prej tyre, duke copësuar dhe fragmentarizuar çështje mjaft të rëndësishme”.

“Prova më e madhe e SPAK është ajo e inceneratorëve. Që nga momenti që inceneratorët trajtohen si një gjë e fragmentarizuar, SPAK ka humbur kredibilitetin e vet”, tha Caka.

Sipas saj, në Shqipëri vijon të ketë një korrupsion mjaft të lartë. “Nuk shoh se kemi përmirësime as në fushën e krimit të organizuar, kemi krimin e organizuar të shtrirë në terren, ka marrë revansh”, tha Caka.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb