Tabloidi gjerman “Bild” e ka renditur Shqipërinë në krye të listës së destinacioneve për të udhëtuar gjatë këtij viti.
“Shqipëria nuk është më një këshillë sekrete, por në vitin 2025 do të bëhet një destinacion trend për të apasionuarit pas diellit dhe plazhit. Në Rivierën Shqiptare të tërheqin uji i kristaltë, gjiret e vogla dhe fshatrat bregdetare plot hijeshi si Ksamil dhe Himara. Ndryshe nga rajonet e mbipopulluara të Mesdheut, këtu mund të gjesh plazhe të qeta dhe të shijosh natyrën”, shkruan në hyrje të artikullit të saj revista “Bild”.
Në një postim në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama e quajti artikullin një Ssuperpromovim ndërkombëtar mediatik.
“Superpromovim ndërkombëtar mediatik nga tabloidi gjerman “Bild” që na rendit në krye të listës së destinacioneve për të udhëtuar gjatë këtij viti. 356 mijë vizitorë nga Gjermania kanë udhëtuar drejt Shqipërisë deri në nëntor, ndërsa po përgatitemi që gjatë muajit mars të prezantohemi si fytyra e ITB Berlin 2025, panairit më të madh në botë për turizmin “, shkruan Rama.
International Travel Trade Show (ITB) është ekspozita kryesore tregtare në botë e udhëtimeve dhe ofron një mundësi unike për të mësuar rreth vendeve dhe rajoneve të ndryshme në të gjithë globin të mbledhura në një vend të vetëm.
(BalkanWeb)