*Transporti Qytetas: Nëse nuk rritet çmimi, pezullojmë punën


TIRANE- Shoqata e Transportit Qytetas i ka dërguar një kërkesë Bashkisë së Tiranës, duke kërkuar rritje të çmimit të biletës. Por kjo rritje parashikohet më shumë dyfishi i biletës aktuale, pasi operatorët e shërbimin urban thonë se kostot e tyre mbulohen me çmimin 70 lekë.


Këtë herë ata shprehen më të qartë në qëndrimin e tyre, duke thënë se nëse Bashkia nuk merr parasysh kërkesën e tyre, ata do të pezullojnë aktivitetin.


“Takimet me Veliajn janë optimiste por s’është bërë gjë. Operatorët në vështirësi rrezikojnë të mbylljen. Nëse bashkia hesht, do ndërpresim aktivitetin”, shprehet nga Shoqata e Transportit Qytetas.

Ndërkaq, operatorët thonë se “Nëse nuk rritet çmimi, ne do të pezullojmë aktivitetin. Kostot tona mbulohen me çmimin 70 lekë. Qytetarët të mirëkuptojnë çdo zgjidhje tonën. Tarifa e vjetër është zhbërë nga qeveria Berisha”.

Ndërkohë Kreu i Bashkisë, Erion Veliaj i ka quajtur këto kërkesa të çuditshme. Gjatë një aktiviteti me Këshillin e fëmijëve, Veliaj paralajmëroi se pasi të mbarojë takimin me ta do të flasë me gazetarët për autobusët. “Do flas me gazetarët për autobusët për disa kërkesa të çuditshme që kemi dëgjuar sot”, tha Veliaj.

Në një prononcim për mediat, kryebashkiaku Veliaj tha se nuk është e drejtë kërkesa e transportit publik për të rritur çmimin e biletave në 70 lekë. Ai tha se pret të negociojë me ta, por që të ketë rritje çmimi duhet të garantojnë më parë cilësi dhe standarde në udhëtim.

“Këto janë kërkesa joracionale. Sa të jem unë kryetar bashkie ta harrojnë biletën 70 lekë. Unë jam i hapur për diskutime me ta, i di të gjitha argumentet, por Tirana nuk është në gjendje të përballojë këtë çmim. Tirana sot me këtë shërbim, pa përmirësim cilësor që nuk respektojnë oraret, ecin ngadalë. Nëse argumenti i Shoqatës së Transportit e mbështet kërkesën për rritje çmimesh tek vendet fqinje, sigurisht që bëjnë llogaritë e tyre, ndersa unë bëj llogaritë e qytetarëve. Unë jam kryetari i bashkisë së Tiranës dhe mendoj se qytetarët nuk e përballojnë dot”.

Po ashtu, Veliaj shprehu gadishmërinë e tij për të pritur përfaqësues të Shoqatës së Transportit për të diskutuar, por jo për të pranuar shantazhin e tyre.
“Nesër i pres në takim, por duhet cilësi”.

(el.sp/m.k/ma.ar/BalkanWeb)

Etiketa: