Nga: ERJON SKËNDAJ*

TIRANË- Të gjithë personat që do udhëtojnë drejt Francës për të ndjekur nga afër Kombëtaren në Kampionatin Europian dhe që kanë lindur në vitet ‘80-90, do të duhet të vaksinohen me vaksinën e Fruthit. Specialistja e ISHP-së Silva Bino sqaron se të lindurit në këtë periudhë edhe pse janë vaksinuar me vaksinën e Fruthit, kjo e fundit nuk ka pasur efekt mbi ta pasi nuk është respektuar zinxhiri i ftohjes, pra nuk është zbatuar protokolli i ruajtjes së vaksinës që njihet edhe si zinxhiri i ftohjes.

Këtë deklaratë ekspertja e bëri në një trajnim me gazetarët e Shëndetësisë.

Arsyeja pse kjo gjë bëhet e ditur pikërisht dekada më vonë, është zbulimi i një rasti të importuar nga Franca. Sipas eksperte,s një shqiptar që ka udhëtuar drejt Francës kur është kthyer në Shqipëri ka rezultuar të jetë edhe bartës i Fruthit. Pacienti rezulton të jetë një punonjës i FSHF-së.

Instituti i Shëndetit Publik ka analizuar rastin dhe nuk ka vënë re përhapje të virusit të Fruthit, çka lë të kuptohet se popullata në Shqipëri është e imunizuar në masë të lartë, për shkak të vaksinimit. Gjithsesi, ekspertja i bën apel të lindurve në vitet ‘80-90 që të vaksinohen për të qenë edhe më të sigurt para se sa të udhëtojnë drejt Francës apo edhe shteteve të tjera si Gjermania, apo edhe Italia ku sëmundja e Fruthit qarkullon.

Ndërkaq, specialistja e ISHP-së Silva Bino i bën thirrje të gjitha nënave të vaksinojnë fëmijët pasi nuk ka asnjë rrezik nga vaksinat. Duke iu referuar një lajmi të fundit se vaksina e Fruth-Rubeolës, ndryshe e njohur si MMR shkakton autizëm, Bino thotë se lajmi është i pavërtetë dhe i falsifikuar qëllimisht nga persona që kanë interesa për të shkaktuar panik në popullatën e globit. Bino thotë se në asnjë rast institucioni FDA në SHBA nuk ka publikuar në faqen e tij, lajme që lidhin vaksinën MMR me autizmin.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: