Një industri në rritje e dominuar nga gratë në kuzhinë e në sherbim, ajo e gjelltoreve ose e gatimeve tradicionale ishte dje si në paralizë në Tiranë. Pushim. 8 mars. Tendenca e kthimit tek ushqimi bio po ben që restorante të tilla të lira të shfaqen përditë e më shumë në vend të mizorisë fast-food.
Barqet e drojtura të nëpunësve, profesionistëve, e gjasme shtresës së mesme mbushen vakteve në këto ambjente të gëzueshme ku shefet urdhërojnë. Nuk mungojnë as mullat e majme pa kuptim me shtresat e tranzicionit të gjatë, të alkolit, derteve e keqngrenies, prej nga nuk lindi kurrë diçka e hajrit.
Ngjan si levizje kulturore kthimi tek bizelet e thjerrëzat. Padyshim, ta thotë këtë çdo mjek që ta çon hera në konsultë.
Diku në një qoshe të Bllokut, pasi ngjit 3 shkallë, çalltis një vend që zien, pa emer, pa reklamë. Mirë është të shmangesh oraret e pikut, s’do gjesh tavolinë.
***
Në sfond ja ku vjen Adele. “Someone like you”. Një mezo-soprano, një piano, një tekst. Asgjë më shumë. Prej një dekade a më tepër kjo kenge është nga më të degjuarat në botë. Disku më i shitur.
As performancë, as trupa të tonifikuar në skenë as drita, as tinguj mobilizues. Kend gjysem në errësirë. Jo ndezëse. Jo vezulluese. Bio. Të kap aty me sallaten me perime të ziera, e të hedh në kohë e deltina të pashkelura moti.
***
Pak metra më tutje, libraria e Dalanit. Qellon të kesh marrë “Njeriu pa cilësi”. Libri i paperfunduar i Robert Musil. Të ka thënë Kundera disa herë ta lexosh. Edhe Italo Calvino. Eshte nga majat e letërsisë së Europës Qendrore. Edhe kjo pjesë e kontinentit pati lulëzimin në letra, pas eres franceze, britanike e spanjolle. Me Kafken të parin. Autori austriak qe mik me të. Ka mberritur më në fund në shqip, nga puna e mirë, e paqortueshme e Jonila Godoles. Bio.
Ulrih, i paplotësuar, pa një kompetencë, i kapur pas salloneve në perpjekje për të qendruar në treg, gjezdis nëpër Vjenë në vitin e largët 2013, po ai ka një prozhektor të fuqishëm që ja jep letersia e madhe dhe të sheh e te kundron sot ty me qesendi këtu në vitin 2025. Je si ai, je duke bërë të njejtat gjera.
***
Gati gjysmen e kohës e kalojmë me futbollin.
Kryesisht si filozofë e mendimtarë që i dimë të gjitha. Specialistët thonë se ka një krizë. Por e shohim vetë gjendjen e rende të gjeniut, Guardiola, renien e tij pa lavdi. S’ka më ide, skemat, sterhollimet, tjerrja e tepruar, nuk vlejnë. Kthim tek futbolli bio. Ai që luhet thjesht, me shpirt e në çdo repart. Dhe me synimin e qartë. Asgjë më pak se 3 pikët.
Ardhja tek natyralja, tek humusi, te origjina, tek boja e njeriut është një puhizë melankolike, sidoqoftë. Do fashitet sa hap e mbyll sytë nga rrymat e mëdha të teknologjisë. Nostalgjikët e rrethuar me beton e ChatGPT, le të luten për pension të mjaftueshëm.
(BalkanWeb)