Nga Erjola Jata
TIRANË- Prodhuesit e birrës kanë dhënë alarmin se industria po dëmtohet nga importi. Luan Bregasi president i shoqatës së prodhuesve të birrës ngre shqetësimin se investimet e tyre miliona euroshe po rrezikohen nga disbalancat e taksës së akcizës nga import-eksporti. Sipas Bregasit birra e importuar nga vendet e rajonit ka “mbytur” tregun shqiptarë për shkak se akciza që paguan në vendin tonë është shumë herë më e ulët. Bregasi i referohet Kosovës ku prodhuesit atje paguajnë një akcizë shumë më të lartë sesa kur vjen në Shqipëri.

“Së pari Birrat e importit duke pasur kapacitet të mëdha prodhimi kostot e prodhimit janë më të ulëta dhe kjo është një “favorizim” që i bëhet në thonjëza se nuk është një favor por arsye që e avantazhon birrën e importit. Së dyti akciza e lartë që kanë vënë vendet e rajonit për prodhimet që importohen, p.sh. në Kosovë akciza e produkteve shqiptare që shkojnë në Kosovë është 4 herë më e lartë sesa akciza e produkteve të Kosovës në industrinë e birrës që vijnë në Shqipëri çka do të thotë që ai është i favorizuar të shesë më mirë në Shqipëri sesa të shesë në Kosovë kjo ndodh edhe në vendet e tjera, por arsyeja që janë të favorizuara janë pikërisht rëndesa që ka prodhimi vendas, kostot e larta që ka industria vendase e prodhimit të birrës i avantazhon produktet e huaja në Shqipëri. Kosova e ka pasur 3 euro për litër për gradë alkool dhe e ka bërë tashmë 8 euro për litër për gradë alkool kur ne d.m.th e kemi gati 1 euro për litër për gradë alkool ky është një nga arsyet kryesore që kanë vështirësuar konkurrencën e prodhimeve shqiptare në Shqipëri”, deklaron Bregasi.

Por një rëndesë tjetër për industrinë e birrës janë edhe disa taksa të mbetura që nga viti 2012 të cilat rëndojnë akoma më shumë kostot e prodhimit vendas.
“Industria e birrës nuk është një situatë komode d.m.th në kuptimin e kushteve të punës dhe nuk është në një situate konkurruese për sa i përket produkteve të importit dhe prodhimit vendas, kjo për arsye sepse kostot e prodhimit vendas rëndohen në mënyrë jo korrekte nga disa taksa që kanë mbetur dhe e rëndojnë këtë prodhim nga e kaluara siç është taksa e pullës fiskale e cila po marr Kosovën që është 3 euro për 1 mijë shishe në Shqipëri është 28 euro për 1 mijë shishe. Janë kostot e ambalazhit siç është akciza e qelqit dhe ajo e akcizës e plastikës te cila ka mbetur për të mbushur buxhetin e shtetit që në 2012 dhe rëndojnë padrejtësisht kostot e industrisë së prodhimit vendas. Po kështu një arsye tjetër është kostoja e lartë e energjisë elektrike. Kemi çmimin më të lartë në rajon rreth 2.5 më shumë sesa vendet e rajonit. Pra janë disa faktorë që realisht e kanë rënduar koston e produktin vendas dhe e kanë vënë shumë në vështirësi industrinë e birrës e cila është një industri që ka investuar 80 mln euro dhe ka të punësuar në sistemin e vetë më shumë se 30 mijë njerëz, këto janë arsyet që e kanë bërë industrinë e birrës të mos jetë më konkurrente përballë birrave që importohen në Shqipëri”, shprehet Bregasi.

Ai thotë se kanë informuar qeverinë në lidhje me shqetësimin e akcizës së birrës dhe prodhuesit vendas kërkojnë që akciza e produkteve dhe industrisë së birrës që eksportohet në Kosovë të jetë e barabartë me akcizën e produkteve të industrisë së birrës që importohet nga Kosova në Shqipëri.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb