Ashtu siç kishin paralajmëruar, 150 punonjësit e “Birra Tirana” iu kanë dërguar një peticion institucioneve kryesore të vendit, Presidentit te Republikës, Kryetares se kuvendit, anëtarëve te komisionit të ekonomisë si dhe drejtorisë së Apelimit Tatimor.
Në peticionin drejtuar këtyre institucioneve punonjësit e “Birrës Tirana” kërkojnë ndihmë për padrejtësinë që sipas tyre po i bëhet kompanisë “Birra Tirana”, ku ata punojnë prej vitesh, e ku po përballen me një sulm të paprecedentë gjobash nga organet tatimore.
“Duke filluar nga muaji Prill 2022 dhe në vijim fabrika e prodhimit të ‘Birra Tirana’ është përballur me kontrolle tatimore të vazhdueshme dhe arbitrare nga Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj. Shoqëria ‘Birra Tirana’ Sh.a ka qenë historikisht korrekte dhe ka mbajtur qëndrim të ndershëm dhe transparent ndaj shtetit shqiptar duke paguar çdo detyrim, taksë apo tatim, në mënyre rigoroze ndaj institucioneve të shtetit shqiptar. Birra Tirana është një punëdhënës i rëndësishëm në Tiranë, dhe jo vetëm, si dhe një kompani historike e krijuar që në vitin 1960”.
Kjo situatë sipas letërshkruesve të ‘Birrës Tirana’ ka krijuar tension dhe pasiguri tek punonjësit që sipas tyre janë në stresin se fabrika do të shkojë drejt falimentit dhe ata e kanë të pamundur të gjejnë një vend pune tjetër në fabrika të ngjashme.
“Ne jemi nën stresin e frikës se fabrika ku ne punojmë prej vitesh do të shkojë drejt falimentit për shkak të revanshit institucional të padrejtë që po ushtron shteti shqiptar përmes organeve tatimore. Mbyllja e fabrikës do jetë një shkatërrim për ne dhe familjet tona sepse është gati e pamundur të gjejmë vend pune në fabrika të tjera të ngjashme, e para për shkak se profili ynë i punës është shumë specifik dhe për shkak se shumica prej nesh është në vitet e fundit të punës”.
Në letrën drejtuar institucioneve të vendit shoqëria ‘Birra Tirana’ SH.A thotë se gjatë kontrolleve të ushtruara organeve tatimore iu është venë në dispozicion i gjithë dokumentacioni i kërkuar dhe në asnjë rast inspektorët tatimorë nuk kanë pasur vështirësi në marrjen e të dhënave duke pasur bashkëpunim të plotë.
“Inspektorët në asnjë rast nuk kanë konstatuar mungese dhënie dokumentacioni apo mungese bashkëpunimi, dhe gjithsesi inspektorët kanë inskenuar situatën duke abuzuar me ligjin në mënyre që të gjobisin ‘Birrën Tirana’ për ta rrënuar financiarisht”.
Në letër renditen edhe dy nga shumë rastet e abuzimit të drejtorisë së kontrollit tatimor në kompaninë ‘Birra Tirana’ sh.a të cilat sipas tyre kanë për qëllim vënien e gjobës më të lartë të mundshme pa asnjë lidhje me të vërtetën dhe rrënimin e kompanisë .
“Rasti i parë flagrant keqdashje dhe shpërdorimi detyre nga grupi i kontrollit tatimor është përdorimi abuziv i vlerësimit alternativ lidhur me harxhimin e lëndës djegëse të përdorur gjatë procesit të prodhimit dhe janë përllogaritur detyrime dhe gjoba në vlerën 256,716,100 lekë.
Rasti i dytë flagrant keqdashje dhe shpërdorimi detyre nga Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj është vlerësim i lëndës djegëse si pjesë e prodhimit të birrës. Me këtë manipulim të ligjit dhe fakteve, ‘Birra Tirana’ është gjobitur me 256,716,100 lekë”.
Letra drejtuar institucioneve sipas punonjësve të kompanisë ‘Birra Tirana’ ka për qëllim informimin se aktualisht kompania ku ata punojnë prej shumë vitesh po përballet me veprime tejet arbitrare të ndërmarra nga administrata shtetërore duke u vendosur përballë një presioni të jashtëzakonshëm që përveç dëmit financiar të konsiderueshëm po synon dita-ditës të denigrojë dhe dëmtojë imazhin e një grupi investitor i cili për dekada me radhë, ka aplikuar standardet më të larta të etikës dhe biznesit në Shqipëri.
“Jemi të bindur se ju keni të gjithë ekspertizën analizuese ekonomike dhe ligjore për të parë dhe vlerësuar paligjshmërinë dhe abuzimin e gjobave dhe kontrolleve të shtetit”, vijon më tej letra e punonjësve të “Birra Tirana”.