NGA AURORA KOROMANI
TIRANE-Kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika ka refuzuar katër herë oficerët e policisë gjyqësore, të cilët kanë shkuar në zyrën e tij për të sekuestruar materiale që ndodheshin në bashkinë e qytetit bregdetar. Burime pranë organit të akuzës sqarojnë se oficerët e Prokurorisë së Vlorës, edhe pse kanë shkuar katër herë në Bashkinë e Vlorës, nuk kanë mundur që të sekuestrojnë librin e protokollit të mbledhjeve të KRRT-së pranë kësaj bashkie për vitin 2011. Të njëjtat burime shtojnë se libri i protokollit sipas rregullave nuk duhej të ishte fare në zyrën e kreut të bashkisë dhe për këtë arsye kërkohej sekuestrimi i tij, për shkak të rrezikut të fshirjes së provave.

4 RASTET
Sipas Prokurorisë së Vlorës, në funksion të hetimit, më datën 27 janar të këtij viti është vendosur sekuestrimi i librit të protokollit të mbledhjeve të KRRT-së pranë Bashkisë Vlorë për vitin 2011. Nga të dhënat rezulton se oficeri i policisë gjyqësore në zbatim të këtij vendimi është paraqitur më 29 janar në zyrën e Drejtorisë së Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit në Bashkinë e Vlorës, ku ka kontaktuar me drejtoreshën, Doriana Sulaj, e cila ka sqaruar se për të vënë në dispozicion dokumentin objekt sekuestrimi, duhet që vendimi i sekuestrimit të ciklohet nga kryetari i Bashkisë Vlorë, dhe duke qenë se ai nuk ndodhej në punë, është kërkuar që sekuestrimi të kryhet në një moment tjetër. Nga të dhënat e organit të akuzës rezulton se oficeri i policisë gjyqësore ka dokumentuar të gjithë këtë veprimtari në procesverbalin e po asaj dite, ku vartësja e Gjikës, Doriana Sulaj, ka refuzuar të firmosë. “Pas kësaj, me qëllim sekuestrimin e dokumentit në Bashkinë Vlorë janë paraqitur dy oficerë të policisë gjyqësore bashkë me prokurorin e çështjes në orën 08:30 të datës 30 janar, të cilët kanë pritur deri në orën 09:30 të kësaj date, por ka rezultuar se kryetari i Bashkisë Vlorë nuk ishte paraqitur në punë. Po atë ditë, ata janë paraqitur në zyrën e arkivës së DPZHK, ku është konstatuar se specialistja e arkivës nuk ishte paraqitur në punë.


Në lidhje me këtë fakt është marrë kontakt me drejtoreshën e DPZHK, Doriana Sulaj, e cila ka informuar se libri i protokollit të vitit 2011, që pasqyron mbledhjet e KRRT-së ndodhet në zyrën e kryetarit të Bashkisë Vlorë”, citohet në materialin e prokurorisë, sipas të cilit gjithçka është pasqyruar në procesverbalin e asaj dite, i cili është nënshkruar edhe nga vartësja e Gjikës. Po duke iu referuar këtij materiali, në 2 shkurt oficerët e policisë gjyqësore bashkë me prokurorin kanë shkuar në Bashkinë e Vlorës në orën 10:00, ku kanë takuar kryebashkiakun Shpëtim Gjika, i cili ka sqaruar se atë ditë ishte njohur nga punonjësit e tij lidhur me çështjen. Gjika u ka sqaruar oficerëve se libri i protokollit ndodhej në zyrën e tij, por për shkak të emergjencave të krijuara nga reshjet e shiut, ai ka kërkuar nga grupi hetimor që sekuestrimi i librit të protokollit të bëhet një ditë më pas dhe u ka lënë takim në orën 11:00 pranë zyrës së tij. “Rezulton se grupi hetimor është paraqitur në zyrën e kryetarit të Bashkisë Vlorë më 3 shkurt, ora 10:45. Aty është konstatuar se kryetari i Bashkisë Vlorë nuk ishte paraqitur në punë, gjithashtu ka rezultuar se as sekretarja e tij nuk ishte paraqitur në punë. Nga grupi hetimor është pritur para zyrës së kryetarit të Bashkisë Vlorë deri në orën 11:30 të po asaj dite, por ka rezultuar se Gjika nuk është paraqitur në punë. Për këtë shkak nuk është bërë i mundur sekuestrimi i librit të protokollit që pasqyron mbledhjet e KRRT-së së Bashkisë Vlorë për vitin 2011”, mbyllet materiali i prokurorisë. Arrestimi i Shpëtim Gjikës, Doriana Sulaj dhe biznesmenit Artur Haxhi u bë një ditë më parë me vendim gjykate, pas urdhrit të dy prokurorëve Albert Kuliçi dhe Ramadan Troci. Pas kallëzimit të shtetases Sadete Osmani në vitin 2013, hetimet nxorën në pah skandalin e tjetërsimit të pronës dhe ndërtimin e paligjshëm të pallatit 11-katësh.


4 RASTET SI U REFUZUA PROKURORIA
Rasti i parë: 29 janar 2015 – Oficerët e Policisë Gjyqësore takuan Doriana Sulaj, e cila u tha se libri i protokollit ishte në zyrën e kryetarit dhe ai nuk ishte në zyrë.


Rasti i dytë: 30 janar 2015 – Oficerët dhe prokurori në bashki morën përgjigje se kryetari Shpëtim Gjika nuk ishte në punë.

Rasti i tretë: 2 shkurt 2015 – oficerët dhe prokurori takuan Gjikën. Ai u tha që të vinin të nesërmen, sepse po merrej me përmbytjet.

Rasti i katërt – 3 shkurt 2014 – Gjika dhe sekretarja e tij nuk ishin në punë.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: