Europol dhe forcat e policisë në të gjithë Evropën kanë dalë kundër kriptimit nga fundi në fund, duke thënë se kanë frikë se mbrojtja e gjerë e privatësisë mund t’i lejojë kriminelëve të veprojnë lirisht.

Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar të dielën, ata kritikuan masat e privatësisë që kompanitë e teknologjisë si Meta po zbatojnë në shërbimet e mesazheve.

Kriptimi nga fundi në fund i pengon këto kompani të kenë akses në komunikimet ndërmjet anëtarëve. Si rezultat, policia nuk e ka të mundur të marrë prova nga kompanitë e teknologjisë kur heton krime të rënda si abuzim me fëmijët, trafikimi i qenieve njerëzore, trafiku i drogës, vrasjet, krimi financiar dhe terrorizmi.

“Ne nuk jemi në gjendje të garantojmë sigurinë publike”, thuhet në këtë deklaratë. “Asnjëherë më parë shoqëritë tona nuk kanë toleruar situata që janë përtej autoriteteve të ligjit, duke lejuar kriminelët të komunikojnë në mënyrë të sigurt dhe abuzimi me fëmijët të lulëzojë.”

Policia dëshiron që kompanitë e teknologjisë të ruajnë aftësitë për të zbuluar dhe raportuar veprimtarinë e paligjshme. Ata duan që autoritetet të garantojnë që policia të mund të marri informacion “për të garantuar sigurinë publike”.

“Për të garantuar sigurinë e shoqërisë dhe qytetarëve, ne duhet të sigurojmë këtë mjedis dixhital dhe të zbulojmë dhe sinjalizojmë aktivitetin e tyre,” tha kreu i Europol, Catherine De Bolle. “Kompanitë e teknologjisë kanë një përgjegjësi sociale në zhvillimin e një mjedisi më të sigurt ku agjencitë e zbatimit të ligjit dhe drejtësia të bëjnë punën e tyre” tha ajo.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb