Bisedimet në Uashington mes zyrtarëve të lartë amerikanë dhe atyre meksikanë rifillojnë të enjten, me shpresën për arritjen e marrëveshjeje për të frenuar emigracionin e paligjshëm që vjen nga Meksika.

Presidenti Donald Trump tha se gjatë bisedimeve të së mërkurës është bërë përparim, por ai nuk ka qenë “i mjaftueshëm”.

Në një postim në Twitter të mërkurën vonë zoti Trump shkruante se “Meksika dhe demokratët në Kongres refuzojnë të mbështesin reformën e emigracionit“.

Më herët presidenti Trump ripërsëriti kërcënimin e tij për të imponuar një tarifë prej 5 për qind mbi importet meksikane duke filluar nga 10 qershori, nëse nuk arrihet një marrëveshje, shkruan Voa.

Ka shumë gjasa që tarifat të vendosen dhe ndoshta do të flasim gjatë kohës që tarifat janë në fuqi dhe ato do nisin të paguhen. Ata duhet të lëvizin dhe të na japin siguri për kombin tonë… Miliona njerëz po vijnë nga Meksika. Kjo është e papranueshme“, tha zoti Trump.

Të mërkurën autoritetet meksikane bllokuan një karvan të ri me emigrantë nga Amerika Qendrore që ishte nisur drejt Shteteve të Bashkuara, në një përpjekje të qeverisë meksikane për të shmangur vendosjen e tarifave ashtu siç ka kërcënuar Presidenti Donald Trump.

Zoti Trump kërkon që Meksika të bëjë më shumë për të kontrolluar rrjedhën e emigrantëve. Kjo përfshin premtimin për t’i mbajtur azilkërkuesit në Meksikë si dhe goditjen e trafikantëve të qënieve njerëzore.

Kur mbeten vetëm katër ditë afat për të shmangur tarifat, presidenti meksikan Andres Manuel Lopez Obrador tha të mërkurën se është optimist për arritjen e një marrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara.

Shumë ligjvënës amerikanë kanë shprehur shqetësimin se tarifat do të rrisin koston e konsumit të mallrave meksikane për amerikanët. Zoti Trump tha se republikanët do të tregoheshin “të papjekur” nëse do të përpiqeshin ta ndalonin atë që të vendoste tarifat ndaj importeve meksikane.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb