Në Vjenë po negociohet rreth çështjes së emrit mes Maqedonisë e Greqisë. Ende nuk dihet se kur do të përfundojë dhe cili do të jetë epilogu i takimit mes kryediplomatëve, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kocijas nën ndërmjetësimin e diplomatit të OKB-së, Metju Nimic. Gjithsesi besohet se treshja po diskuton rreth pikave për të cilat palët akoma nuk kanë arritur marrëveshje, respektivisht rreth hapësirës së përdorimit të emrit të ri eventual dhe ndryshimeve kushtetuese.

Me ç’rast pala maqedonase deri tani ka refuzuar dy kërkesat e palës greke: që emri i ri eventual të përdoret brenda vendit dhe që të pastrohet Kushtetuta nga irredentizmi. Kryeministri Zoran Zaev shpreh optimizëm se takimi do të jetë i frytshëm duke theksuar se beson në kreativitetin e kryediplomatëve dhe grupeve punuese.

“Në secilin takim shoh mundësi për hapërim dhe me të vërtetë deri tani kemi pasur shumë sukses dhe këtë e konfirmojnë edhe parterët tanë në palën tjetër të procesit negociues, përfaqësuesit e Republikës së Greqisë dhe ne mund ta vërtetojmë. Ka progres që na jep arsye të besojmë se mund të hapërohet tani sërish në Vjenë, respektivisht ta shfrytëzojmë secilën mundësi të afrohemi drejt zgjidhjes përfundimtare”– deklaroi kryeministri Zoran Zaev.

Sipas mediave greke, Greqia ka bërë të gjitha hapat që duhej bërë dhe se topi tani është në anën e Maqedonisë. Duke cituar burime qeveritare, “Lefimerida” madje shkruan se negociatat vazhdojnë pa asnjë kufizim kohor. Ndërsa sipas “Katimerinit”, ndërmjetësi Nimic vlerëson se niveli i negociatave mes Athinës dhe Shkupit ka avancuar si asnjëherë më parë gjë që lehtëson parakushtet për marrëveshje. “Proto Thema” ndërkohë duke iu referuar burimeve të saja diplomatike komenton se Perëndimi i bën presion Greqisë që të tërhiqet nga “linjat e kuqe” dhe se tashmë është arritur marrëveshje për çështjet teknike.

Në korniza të rritjes së interesit të bashkësisë ndërkombëtare për zgjidhjen e këtij problemi dypalësh pritet të jetë edhe takimi i nesërm në Bruksel i Kocijasit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATOs, Jens Stoltenberg. Pasi sipas mediave greke, emri do të jetë një nga temat e këtij takimi. Përndryshe deklarata e djeshme optimiste e Euro-komesarit për Zgjerim, Johanes Han se emri mund të zgjidhet në 15 ditët e ardhshme shkaktoi reagime të sinkronizuara nga palët. Pas reagimit të Shkupit zyrtar se zgjidhja nuk mund të ndodh kaq shpejtë, Athina kërkoi nga Han të mos e minojë çështjen dhe të mos jep pasqyrë të rrejshme për negociatat, njofton Alsat M.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb