Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, nuk do të marrë pjesë në bisedimet në Londër ditën e sotme që synojnë të përfundimin e luftës së Rusisë në Ukrainë, pasi Kievi sinjalizoi se do të refuzonte një detaj kyç të propozimit të administratës Trump për t’i dhënë fund konfliktit trevjeçar.
Rubio pritej të merrte pjesë në diskutimet me zyrtarët ukrainas, britanikë dhe evropianë, por zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce, tha të martën se ai nuk do të merrte pjesë për shkak të “problemeve logjistike”.
I dërguari special i Presidentit Donald Trump për Ukrainën dhe Rusinë, Keith Kellogg, do të përfaqësojë SHBA-në në vend të tij, tha Bruce. Bisedimet vijnë pas një takimi në Paris javën e kaluar, në të cilin zyrtarë nga SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania diskutuan një projekt kornizë amerikane për një armëpushim.
Propozimi përfshin njohjen e kontrollit të Rusisë mbi Krimenë. Gjithashtu do të vendoste një armëpushim në vend përgjatë vijave të frontit të luftës.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e bëri të qartë të martën se ishte i hapur për bisedime me Rusinë, por se Kievi nuk do të pranonte një marrëveshje që njeh kontrollin e Moskës mbi Krimenë. “Ukraina nuk do ta njohë ligjërisht pushtimin e Krimesë,” u tha ai gazetarëve. “Nuk ka asgjë për të folur. Është kundër kushtetutës sonë.”
Ndërkohë, lufta ka rifilluar me forcë të plotë këtë javë, pas një armëpushimi të papritur gjatë fundjavës së Pashkëve, të cilin të dyja palët e akuzuan njëra-tjetrën për shkelje.
Të mërkurën e sotme, autoritetet ukrainase thanë se nëntë persona u vranë dhe të paktën 30 u plagosën kur një dron rus goditi një autobus që transportonte njerëz në punë pranë qytetit Marhanets në rajonin e Dnipropetrovsk.