Presidenti në detyrë i SHBA, Joe Biden, paralajmëroi grupin kryesor rebel të Sirisë që të mos punonte me terroristët e Shtetit Islamik në mesazhet sekrete të shkëmbyera gjatë rënies së regjimit të Bashar al-Asad.
Presidenti i SHBA, duke përdorur qeverinë turke si ndërmjetëse, u sigurua nga Hayat Tahrir al-Sham (HTS) se nuk kishte ndërmend të lejonte ISIS-in në lëvizjen e tyre, sipas zyrtarëve turq dhe amerikanë.
HTS, e cila udhëhoqi kryengritjen rebele në të gjithë Sirinë që përmbysi regjimin e Asadit të dielën, dikur ishte e lidhur me Al-Kaedën, por pretendon se është bërë më e moderuar vitet e fundit. HIS është rajtuar si një grup terrorist nga SHBA, MB dhe OKB.
Biden tani është duke diskutuar masën në të cilën SHBA duhet të angazhohen drejtpërdrejt me grupet rebele të udhëhequra nga islamikët mes shqetësimeve se mund të bashkohen ende me xhihadistët, raportoi The New York Times.
Në një fjalim televiziv të dielën, presidenti në largim vuri në dukje se disa nga grupet rebele kishin “rekordin e tyre të zymtë të terrorizmit dhe abuzimeve të të drejtave të njeriut”.
“Ne kemi marrë parasysh deklaratat e liderëve të këtyre grupeve rebele në ditët e fundit dhe ata po thonë gjërat e duhura tani. Por ndërsa ata marrin përsipër përgjegjësi më të mëdha, ne do të vlerësojmë jo vetëm fjalët e tyre, por veprimet e tyre”, tha Biden.
Zyrtarët amerikanë kanë diskutuar gjithashtu heqjen e një shpërblimi prej 10 milionë dollarësh për Abu Mohammad al-Jolani, udhëheqësin e HTS, tha një zyrtar i lartë arab për Middle East Eye.
Paralajmërimi i Biden erdhi ndërsa SHBA kreu sulme ajrore precize kundër objektivave të ISIS-it në Siri të dielën dhe gjatë natës.
Ndërkohë, Rusia u zotua të zhvillojë bisedime me udhëheqësit e ardhshëm të Sirisë për të ardhmen e bazave të saj ushtarake në rajonin e Lindjes së Mesme.
Kremlini tha të hënën se ishte shumë herët për të parashikuar se çfarë qëndrimi do të kishte HTS ndaj bazave dhe objekteve ushtarake ruse, duke përfshirë bazën ajrore Khmeimim në provincën Latakia dhe bazën e saj detare në qytetin bregdetar të Tartus.
Dmitry Peskov, zëdhënësi i Kremlinit, tha se “është e parakohshme të flasim për këtë. E gjithë kjo është një temë për diskutim me ata që do të jenë në pushtet në Siri”.
Vendet perëndimore kanë mirëpritur gjerësisht rënien e regjimit brutal të Asadit, por janë treguar të rezervuar në raport me HTS-në duke pasur parasysh lidhjet e saj terroriste në të kaluarën.
Kryeministri britanik Sir Keir Starmer tha se ishte shumë shpejt për të bashkëpunuar me HTS.
Një ministër i lartë i kabinetit pranoi thirrjet për të hequr grupin rebel sirian nga lista terroriste e Mbretërisë së Bashkuar.
Pat McFadden, i cili mbikëqyr zyrën e kabinetit, tha se qeveria do të shqyrtojë përcaktimin e HTS si një grup terrorist.
Një deklaratë e përbashkët e lëshuar nga Bashkimi Evropian bëri thirrje për një tranzicion paqësor të pushtetit që “udhëhiqet nga Siria”.
Gjermania, ndërkohë, tha se HTS do të gjykohej bazuar në mënyrën se si i trajton pakicat siriane. Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme tha se “në muajt dhe vitet e fundit, HTS është përpjekur të distancohet nga origjina e saj xhihadiste dhe të ndërtojë struktura civile”.
HTS është zotuar të respektojë të drejtat e pakicave etnike dhe fetare. Një mesazh i dërguar nga komanda qendrore e grupit të hënën u tha luftëtarëve të mos “ndërhynin me veshjet e grave”.