Nga: OLA MITRE*
Bizneset që do të kthehen në ndërmarrje sociale, do të mund të përfitojnë një sërë subvencionesh nga shteti. Kjo, në bazë të ligjit “Për ndërmarrjet sociale”, i cili tashmë është miratuar në parlament. Mbështetja mund të jetë në formën e pagesës së sigurimeve shoqërore të punonjësve nga shteti, mbështetje për të krijuar vende pune apo subvencione për zhvillimin e veprimtarisë. Numri i ndërmarrjeve sociale që mund të përfitojnë nga skema e pagesës së sigurimeve shoqërore mund të jetë 50 deri në 75 organizata, ndërkohë që për vitin 2017 parashikohet që të përfitojnë nga kjo skemë 150 persona.

Sa i takon mbështetjes për të krijuar vende pune, nga kjo paketë mund të përfitojnë ato ndërmarrje sociale që duan të rrisin numrin e të punësuarve dhe kanë nevojë për fonde që të mbulojnë pjesërisht koston e krijimit të vendit të punës. Për vitin 2017 janë parashikuar 100 vende pune, me kosto mesatare 50 mijë lekë (kryesisht mjete pune). Buxheti total për këtë produkt është 5 milionë lekë, ndërsa numri i ndërmarrjeve sociale që mund të mbështeten është maksimumi 50.

Paketa e tretë e përfitimit që lidhet me zhvillimin e veprimtarisë në ndërmarrje sociale mund të përdoret kryesisht për ndërmarrje sociale të sapokrijuara dhe që kanë nevojë për kapital fillestar. Fondet për këtë paketë janë grante, dhe aplikantët mund të përfitojnë deri në 70% të investimit fillestar për të filluar veprimtarinë e tyre. Për vitin 2017 parashikohen 20 grante, me një buxhet total 18 milionë lekë.

Kriteret
Për të përfituar, një subjekt duhet të plotësojë një minimum kriteresh ekonomike dhe sociale, në mënyrë që të mbajë statusin e ndërmarrjes sociale. Këto kritere janë kryesisht sociale dhe konsistojnë në nxitjen e punësimit të punëmarrësve nga grupet e pafavorizuara me të paktën 30% të personelit.

Në këto grupe përfshihen kryesisht ata persona që janë të përjashtuar nga tregu i punës e ku bëjnë pjesë: grupet me probleme të varfërisë ekstreme, përjashtimit social, pabarazisë për shkak të vendndodhjes, papunësisë afatgjatë, përjashtimit për shkak të përkatësisë në minoritete etnike, vështirësive për shkak të të qenit i dënuar apo nën varësinë e drogës dhe alkoolit si dhe personat e shpërngulur. Po ashtu, këto biznese duhet të plotësojnë edhe një sërë kriteresh të tjera, të cilat ndodhen në tabelën bashkëngjitur shkrimit.

Sipas ligjit, fushat në të cilat ushtrojnë veprimtarinë ndërmarrjet sociale janë: shërbimet shoqërore; ndërmjetësimi për punësim të personave të pafavorizuar; punësimi i të rinjve; shërbimet shëndetësore; shërbimet në arsim; mbrojtja mjedisore; promovimi i turizmit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore; veprimtaria sportive me qëllim argëtimin dhe socializimin dhe promovimin e zhvillimit të komuniteteve lokale.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: