Po. Integrimi është biznes. I mirë për të dyja palët. Për Bashkimin Evropian që do të zgjerohet. Por në radhë të parë, për ne shqiptarët, qytetarët e këtij vendi të vuajtur, që duam shtet të së drejtës dhe mundësi për t’u zhvilluar dhe shtuar atë pak pasuri që kemi me djersën e ballit në Evropën e Bashkuar. Bullgaria 16 vjet më parë pa që iu hapën bisedimet për anëtarësim. Ishte vend i papërgatitur për të hyrë, njëlloj si ne sot dhe si fqinji i saj Rumania atëherë. Kishte fuqinë blerëse 32 për qind(një të tretën) e mesatares së fuqisë blerëse(të ardhurave) për banor të vendeve të Bashkimit Evropian. Afërsisht sa e kemi ne sot(29 për qind). Mori hapjen e bisedimeve dhe në gjashtë vjet derisa u anëtarësua, i rriti të ardhurat në 43 për qind të mesatares së qytetarëve të Bashkimit Europian. Polonia në vitin 1998 mori hapjen e bisedimeve për anëtarësim. Nga ajo kohë deri tani, pas 14 vitesh anëtarësim(nga viti 2004), ka dyfishuar të ardhurat e qytetarëve të saj. Përse të mos ndodhë kjo gjë dhe me Shqipërinë, dhe me ne? Duam me shpirt si qytetarë të ndodhë kjo gjë. Ja përse në favor të anëtarësimit në familjen e madhe europiane jemi të gjithë. Pse ky proces nënkupton mirëqenie të rritur për të gjithë. Ndoshta më pak para të vjedhura dhe rrezik më të lartë për të përfunduar pas hekurave të shtetit ligjor për ata që kanë abuzuar dhe abuzojnë me pronën publike. Por këta pak qindra nuk na interesojnë në qytetarëve të thjeshtë. Ne duam që integrimi të nisë sa më shpejt. Dhe ai nis realisht me çeljen e bisedimeve. Prandaj është interesi ynë madhor. Nuk na intereson loja politike e brendshme.

Integrimi, hapja e bisedimeve për anëtarësim nuk ka pse të bëhet pjesë e lojës politike të pafytyrë të partive tona. As rob, as peng dhe as viktimë e pasionit të tyre për pushtet. As edhe reflektim kauzash false. Integrimi është kauza jonë e patjetërsuar, interesi më legjitim dhe i shenjtë për një jetë më të denjë si qytetar evropian dhe me mirëqenie të rritur ndjeshëm. Po kërkojmë shumë? Jo! As më pak as edhe më shumë se sa polaku në vitin 1994 që ia arriti, apo bullgari në vitin 2002 që po ashtu ia arriti. Pse të mos ia arrijmë edhe ne, pavarësisht se kaq vonë? Më mirë vonë se kurrë thotë populli ynë. Dhe nuk mund të lejojmë që disa dhjetëra bomba molotov që mund të lëshohen sot nga një protestë e dhunshme e opozitës sonë në rrugë të na ngadalësojë apo pengojë fort gjasat tona për integrim. Kemi një qeveri të papërgatitur për integrimin, që vetëm fushata e parulla prodhon, si të gjitha qeveritë tona përpara saj. Kemi një klasë të tërë politike që me mos-sinqeritet shprehet orë e çast për integrimin, por ia ngul thikën nga pas me veprimet e saj të papërgjegjshme, sa herë sheh kuq si demi me shaminë e toreadorit në interesat e luftës për pushtet. Pikërisht tani, kur për herë të dytë qeveria e Europës së Bashkuar, Komisioni Evropian u dërgoi të 28 parlamenteve të shteteve anëtare të BE-së propozimin për hapjen pa kushte të bisedimeve me Shqipërinë. Çfarë bëjmë ne? Do ndezim edhe sot natën shqiptare në flakë molotovësh apo objektesh të djegura?

Këtë do të bëjmë rishtazi? Çfarë mesazhi do t’u japim kështu anëtarëve të 28 parlamenteve të shteteve të Bashkimit Evropian qe duhet te shprehen për propozimin e Komisionit Europian? Botës mbarë? A kemi fuqi ne si qytetarë të thjeshtë t’i themi “Ndal!” kësaj politike të papërgjegjshme të ditës, për të mos ngatërruar integrimin si interes madhor me betejën e sotme për pushtet? Po ta kishim këtë fuqi do të kishim dalë dje, më 1 qershor, ditën kur partia në pushtet ndezi dritat e një fushate absurde zgjedhjesh pa kundërshtar të mirëfilltë, për t’i thënë “Jo!” opozitës po aq të papërgjegjshme tonën, që sot të mos lëshojë molotovët e radhës në protestën e saj të orës 7 të darkës. A do të bëjë opozita sot në darkë një protestë paqësore? Duket mision i pamundur. Mendjet organizuese të protestave të opozitës janë penduar për protestën paqësore(të vetmen të tillë në gjashtë të zhvilluara) të tetë ditëve më parë, më 25 maj. Prandaj sot qytetarët me keqardhje parashikojnë dhunë. Por kjo dhunë për këto momente të veçanta që kalojmë është t’i fusësh një stërkëmbësh të madh procesit madhor të integrimit. Çdo bombë molotov që mund të hidhet sot në darkë është një thikë pas shpine për të gjithë shqiptarët. Pavarësisht motiveve të luftës për pushtet të opozitës së sotme. Këto motive, sado të idolatrizohen prej drejtuesve të opozitës si çlirimi i Shqipërisë nga gjithëfarëlloj prangash, janë thjesht shumë më të vogla dhe më të parëndësishme nga interesi ynë madhor, INTEGRIMI sa më shpejt në familjen europiane.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb