TIRANE- Ministri i financave shqiptare Arben Ahmetaj, në një takim me gazetarët, ka thënë se skema e TVSH që përfshin bizneset e vogla, është një hap i rëndësishëm në luftën ndaj informalitetit. Ai tha theksuar se nuk do të ketë gjoba për deklarim të gabuar, pasi sipas tij kjo reformë nuk ka në fokus të gjenerojë të ardhura nga biznesi i vogël, por ka në fokus saktësimin e deklarimeve të biznesit të madh.

“Fokusi është te biznesi i madh, është te qartësia e transaksionit për të mbledhur më shumë TVSH nga biznesi i madh”, deklaroi Ahmetaj.

“Nuk do të ketë gjoba për bizneset e vogla për gabime në deklarim deri në 31 dhjetor 2018 dhe janë angazhuar shumë sportele specifike për asistencë për bizneset e vogla, gjatë këtij procesi”- theksoi Ahmetaj.

Sakaq, ai i ka dërguar një mesazh biznesit të vogël, të cilët kanë paralajmëruar protestë mesditën e sotme, duke ulur qepenat për një orë kundër përfshirjes në skemën e TVSh-së.

“Secili është i lirë të hapë apo mbyllë qepenat, pro vazhdoni të bëni punë tuaj për veten dhe familjen. Mos u bëni pre e politikës së tyre. Mos harroni që ju kanë gjobitur, ju kanë ngarkuar me 1.5 % të xhiros, dhe 10 % taksën e sheshtë. Ndërsa kjo qeveri është kujdesur për lehtësimin e barrës fiskale. Kjo qeveri ju hoqi taksën e sheshtë. Dje opozita ju premtoi se do t’u kthente 10 përqindëshin, dhe ju e dini se kjo taksë ju rrënoi të gjithë juve”, u shpreh ai.

Ministri i financave Arben Ahmetaj, i ka dërguar administratës tatimore një shkresë në datë 7 prill për mos aplikimin e gjobave për bizneset e vogla që hyjnë në pragun e TVSH, për gabimet në deklarim për një periudhe 6-mujore nga fillimi i deklarimit (deri në dhjetor 2018).

Biznesi i vogël, që hyri në skemën e TVSH-së në 1 prill, pas uljes së kufirit të TVSH-së nga 5 në 2 milionë lekë, pritet që të bëjë deklaratat e TVSH-së një herë në tre muaj, ku deklarimi i parë do të jetë në muajin korrik.

Ahmetaj u ka kërkuar tatimeve që deri në 15 ditorin e parë të muajit korrik, që përben momentin e parë të deklarimit, administrata tatimore duhet të kontaktojë detyrimisht me çdo subjekt që preket nga ndryshimet ligjore, për të asistuar tatimpaguesit në shmangien e parregullsive dhe deklarimin nëe kohë të tremujorit të parë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb