TIRANE- Biznesi i vogël në shenjë kundërshtie për rritjen e taksave është hedhur në protestë para Bashkisë së Tiranës. Me pankarta në duar dhe nën brohërima ‘O Erion, o hajdut’ përfaqësuesit e biznesve kanë kërkuar pezullim të vendimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës për taksat. Ata kanë bllokuar një korsi të rrugës para bashkisë.

“Ku do shkojë ky popull, janë bërë taksat si në Amerikë, ndërsa shërbimet janë si në Afrikë”,- tha njëri prej tregtarëve protestues.

“Më kanë ardhur 2 milionë lekë në muaj…ekonomia është në rënie më çfarë t’i paguaj”, -pyet një tjetër tregtar.

“T’i uli taksat dhe mos ti ngrejë, lëreni biznesin të lulëzojë, të punojë, mos na detyroni të ulim qepenat”,- tha një tjetër.

Një tjetër tregtar e pyeti: “Në rast se në jetën e vetë ka shitur dikur fiq, në rast se paguante taksën sa lekë i mbeteshin në xhepin e tij?

“Unë nuk paguaj”,- tha një tjetër tregtar.

TAKSAT
“Të martën që vjen, në orën 10:00, do të jemi më shumë në numër, do të rrethojmë bashkinë dhe bllokojmë sheshin. Taksat janë shumë të larta. Kryetari doli dhe tha që nuk rriten taksat, por faturat po na vijnë shumë të majme. Po na çojnë drejt falimentimit. Nëse kërkesat tona nuk merren parasysh, protestat do përshkallëzohen”, kanë deklaruar përfaqësuesit e biznesit. Taksa që ata kanë kundërshtuar më së shumti, e cila ka pësuar rritje 10-fish nga viti i shkuar, është tarifa për zënien e hapësirës publike.

Zënia e hapësirës publike për qëllime biznesi, si vendosje mallrash jashtë vendit të tregtimit, vendosje tavolinash, sipërfaqe të zëna me platforma, sipërfaqe të rrethuara me vazo me lule, bimë dekorative, me kangjella, drurë dekorativë, kufizime me plastmasë dhe sende të tjera etj. të ngjashme me to, do t’i kushtojnë shumë shtrenjtë çdo biznesi që operon në një prej 24 njësive administrative të Tiranës. Veç bizneseve, kjo rritje prek edhe tregjet publike, që administrohen nga njësitë bashkiake. Sipas paketës fiskale të Bashkisë Tiranë, bizneset për zënien e hapësirës publike paguanin në muaj 150 lekë/m2, ndërkohë që me paketën e re fiskale duhet të paguajnë 1.500 lekë/ m2 në zonën A, ku përfshihen bizneset në qendër, në rrugët kryesore dhe zonën e ish-Bllokut, 750 lekë/m2 në zonën B, dhe 400 lekë/m2 për bizneset që operojnë në zonën C të Tiranës, ku në këtë zonë përfshihen edhe bizneset që kanë zënë hapësirë publike në njësinë Dajt, Kashar dhe Farkë.

Ndërsa për njësitë e tjera, Bërzhitë, Baldushk, Petrelë, Vaqar, Pezë, Ndroq, Krrabë, Shëngjergj, Zall-Herr, Zall- Bastar, çdo biznes do të paguajë për zënien e hapësirës publike 200 lekë/m2 në muaj. Rritja e kësaj takse, sipas biznesit do t’i çojë drejt falimentimit.
(ed.me/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: