Një ditë pas deklaratës së Presidencës, në të cilën sqarohej procedura e marrjes së shtetësisë shqiptare për biznesmenët indianë, nga Ministria e Mjedisit nuk ka ende një reagim zyrtar. Shtetasit indianë, të cilët janë pajisur tashmë me pasaportë shqiptare, në vendin e tyre akuzohen për vjedhje e për pastrimin e 725 milionë dollarëve. 59-vjeçari Hitesh Patel u arrestua dy ditë më parë nga Interpol Tirana, ndërsa tentonte të largohej nga Shqipëria.

Në sqarimin e Presidencës, lidhur me procedurën e pajisjes me pasaportë shqiptare të tyre, thuhej se ishte ndjekur procedura ligjore, bazuar në pikën 7, të nenit 9 të ligjit nr. 8389, datë 05.08.1998 “Për shtetësinë shqiptare” të ndryshuar.

“Janë zbatuar procedurat ligjore bazuar në pikën 7, të nenit 9 të ligjit nr. 8389, datë 05.08.1998 “Për shtetësinë shqiptare” të ndryshuar, me propozimin e Ministrisë së Turizimit dhe Mjedisit, “për shkak të eksperiencës në investime dhe historikut të sipërmarrjeve të suksesshme jashtë Republikës së Shqipërisë dhe për shkak të angazhimit të tyre për realizimin e investimeve të rëndësishme elitare në vendin tonë”. Bazuar në pikën 6, të nenit 9 të ligjit për shtetësinë, janë bërë verifikimet përkatëse nga agjencia ligjzbatuese nga e cila nuk kanë rezultuar të dhëna problematike për dhënien e shtetësisë shqiptare.” – thuhej në sqarimin e Presidencës.

Ndërkaq Ministria e Mjedisit, nuk e ka ende një sqarim për kërkesën drejtuar Presidencës, apo ku e ka bazuar kërkesën e saj lidhur me eksperiencën në investime dhe historikut të sipërmarrjeve të suksesshme jashtë Republikës së Shqipërisë dhe për shkak të angazhimit të tyre për realizimin e investimeve të rëndësishme elitare në vendin tonë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb