Biznesmeni Bujar Shega (i njohur edhe si Marsel Shega) u arrestua në Milano nga policia italiane, me urdhër të SPAK. Nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme ka rezultuar se sipërmarrësi nga Peqini është pjesë e organizatës kriminale të Suel Çelës.

Në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa në News24, Klodiana Lala tha se Bujar Shega është figura qendrore e bandës së Suel Çelës, të ekspozuar në një mori veprash të rënda kriminale nga trafiku ndërkombëtar i kokainës e deri te eliminimi i kundërshtarëve.

Ajo tha se ai ka lidhje të forta politike, miqësi me deputetë e zyrtarë të lartë, si dhe ka përfituar tendera nga buxheti i shtetit me kompanitë e tij. Lala shtoi gjithashtu se SPAK mund të thërrasë edhe personazhe politike si dhe punonjës të administratës publike të skeduar për kontaktet me Bujar Shegën.

“930 kg kokainë do nisej nga Euadori në Belgjikë. Një nga financuesit ishte Bujar Shega, biznesmen me dy kompani në Shqipëri, është nga zona e Peqinit. Ka marrë tendera dhe punë publike në Shqipëri. Në 2020 dakordësohet me Suel Çelën për të trafikuar këtë sasi droge. Autoritetet në Ekuador marrin informacion se anija që do të nisej kishte dyshime se ishte e ngarkuar me lëndë narkotike e kontaminuar. Shkohet dhe bllokohen 19 thasë të zinj me “bukë” i thonë ata. Droga bllokohet, ishin 930 kg kokainë. Personi që kishte marrë përsipër nxjerrjen e drogës nga porti konstaton që ishte bosh dhe njofton. Pasi kapet droga, Suel Çela i thotë Bujar Shegës “heto për hilsin, deri në fund…” Hileqari që mund t’i kishte tradhtuar, thotë Suel Çela, “duhet të na japë prova që droga është kapur, në të kundërt ne do ta fusim në dhe, do ta paguajë me kokën e tij”. Pra, ka një debat shumë të fortë mes tyre. Figurë qendrore del Bujar Shega, me lidhje të forta në politikë. Mund të kemi edhe politikanë që mund të pyeten apo hetohen për lidhje me atë, personazhe të administratës që kanë firmosur tendera në favor të tij. Bujar Shega duhet parë si figurë qendrore të krimit të organizuar”, u shpreh Lala.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb