Banka Kombëtare Tregtare është vlerësuar për të shtatin vit radhazi nga Global Finance si “Banka më e mirë në Shqipëri për vitin 2025”.

Ky vlerësim vjen si pjesë e çmimeve vjetore të Global Finance, të cilat, për të 32-in vit radhazi, shpërblejnë bankat më të mira në Evropën Qendrore dhe Lindore. Banka Kombëtare Tregtare u dallua për stabilitetin, gamën e shërbimeve dhe inovacionin teknologjik.

Në përzgjedhjen e fituesve, Global Finance analizoi faktorë objektivë si rritja e aseteve, fitimi, shtrirja gjeografike, marrëdhëniet strategjike, zhvillimi i bizneseve të reja dhe inovacioni në produkte. Vlerësimi u mbështet edhe nga opinione të analistëve financiarë, agjencive të kreditimit dhe ekspertëve të industrisë.

Sipas themeluesit dhe drejtorit editorial të Global Finance, Joseph D. Giarraputo, sektori bankar po evoluon me fleksibilitet dhe inovacion, duke përfituar nga mundësitë e reja. Ai theksoi se Inteligjenca Artificiale po luan një rol kyç në transformimin e shpejtë të industrisë financiare.

Duke komentuar mbi këtë vlerësim, Drejtori i Përgjithshëm dhe Anëtar Bordi i BKT, Z. Seyhan Pencablıgil, theksoi se çmimi pasqyron një vit tjetër të jashtëzakonshëm për bankën. “BKT e përmbylli 2024-ën me rritje të ndjeshme në të gjitha portofolet e saj. Kemi transformuar modelin tonë të shërbimit, duke kaluar nga një qasje e bazuar te produktet në një qasje të orientuar drejt klientit. Ky ndryshim, i mbështetur nga teknologjia më e avancuar, synon të thjeshtojë proceset dhe të ofrojë zgjidhje më të personalizuara, intuitive dhe efikase për klientët tanë,” tha ai.

Pencablıgil nënvizoi gjithashtu angazhimin e BKT-së për zgjerimin e portofolit të kredive dhe depozitave, përfshirjen financiare, inovacionin dhe rritjen e qëndrueshme. Ai ia dedikoi çmimin ekipit të BKT për përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre, klientëve për besimin e treguar dhe aksionerëve për mbështetjen e vazhdueshme. Jemi krenar që udhëhiqemi nga një trashëgimi njëqindvjeçare si një simbol besimi dhe stabiliteti.

Themeluar në vitin 1925, BKT është banka më e madhe dhe më e vjetër tregtare në Shqipëri. Me një total asete prej 6.6 miliardë euro dhe depozita që arrijnë në 5.5 miliardë euro, banka ofron shërbime përmes 62 degëve dhe kanaleve dixhitale innovative. BKT mbylli vitin 2024 me një normë kthim mbi kapitalin prej 20%, i cili është një sukses i jashtëzakonshëm.

(Balkan Web)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb