Gjykata Penale e Brukselit dha të enjten dënimet me 9 vjet burg, pas një dite të tërë leximi të aktgjykimit, ndaj shqiptarëve Alfredo H. dhe Indrit K., dy nga të pandehurit e dosjes “Black Eagle” të “SKY EÇ”. Alfredo H. u dënua edhe me 8000 euro gjobë dhe konfiskim me vlerë ex aequo et bono 625.000 euro. Indrit K. ka marrë të njëjtin dënim me gjobë, si dhe konfiskim me vlerë 450 mijë euro ex aequo et bono.

Gjykata dha gjithashtu disa dënime me 6 vjet burgim për të pandehurit në mungesë, si dhe disa të tjerë me 5 dhe 4 vjet burg, shumica e tyre pjesërisht të pezulluara. U dënuan edhe dy të pandehur, njëri me tre vjet burg dhe tjetri me 18 muaj me kusht. Më në fund, dy të pandehur u dënuan me punë dhe pesë u liruan nga akuzat.

Mediat belge shkruajnë sot se sipas Prokurorisë, përfitimi financiar nga veprat penale kap shumën e 234 milionë euro. Gjykata konsideroi se kjo shumë ishte e besueshme, por zgjodhi të urdhëronte konfiskimet ndaj secilit prej të pandehurve fajtorë bazuar në rolin që ata luanin në hierarkinë e rrjetit.

Prokurori identifikoi dy shqiptarë (të cilët morën dënimet më të rënda) si drejtues të organizatës kriminale. Sipas magjistratit, i pari ka qenë në kontakt me grupet mafioze italiane të krijuara në Limburg, por edhe me drejtuesit e një organizate të ndryshme nga e tija, edhe më e rëndësishme, me qendër në Majorka. I dyti u arrestua në janar 2020 në Spanjë me 440 kilogramë kokainë. Nga burgu, fillimisht në Barcelonë, më pas në komunën Saint-Gilles të Brukselit, ai u përpoq të krijonte një rrjet të ri me Paraguajin, me ndihmën e një diplomati.

Më pas, prokurori identifikoi tre të pandehur si “vendimmarrës”, të cilët ndërhynë veçanërisht për të pastruar paratë e ardhura nga trafikimi nëpërmjet investimeve në pasuri të paluajtshme. Dy liderët e supozuar u kishin bërë thirrje gjithashtu anëtarëve që të vepronin si “vëzhgues”. Roli i tyre ishte të monitoronin mbërritjen e anijeve në portet e Antëerpen dhe Gentit. Nuk munguan as “nxjerrësit”, të cilët udhëtonin me kanoe të fryra dhe të pajisur me pajisje zhytjeje deri te anijet ku ndodheshin konteinerët e synuar. Me fjalë të tjera ato që përmbanin mallrat, të cilat duhej të rikuperoheshin përpara kontrollit doganor.

Drejtuesit e organizatës rekrutuan edhe “kimistë”, ose “kuzhinierë”, shumica e të cilëve janë me kombësi kolumbiane. Detyra e tyre ishte nxjerrja e kokainës nga produktet legale të importuara dhe në të cilat droga ishte përzier me ekspertizë. Kishte ende “furnizues”, të cilët ishin përgjegjës veçanërisht për gjetjen e magazinës për instalimin e laboratorëve të përpunimit të drogës.

Disa nga shqiptarët e përmendur në këtë proces janë identifikuar më parë nga mediat si Artur S., Indrit. K., Arben I., Alfredo H., Fjodor B., Aldo T., Llazar S. apo kosovari Bashkim O., të konsideruar ndër lojtarët më të mëdhenj shqiptarë në tregun e kokainës. Në këtë dosje janë zbuluar edhe lidhje me zyrtarë në Shqipëri, përfshirë korruptimin e një prej tyre me një orë 400 mijë euro apo takime me ta në Antilet hollandeze për të mundësuar leje ndërtimi për kullë në Tiranë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: