Një “black out” të mirëfilltë energjetik përjetoi i gjithë vendi mesditën e kësaj të premte, si pasojë e një defekti të linjës së interkonjeksionit me Greqinë. Raportime për ndërprerje të energjisë elektrike erdhën në BalkanWeb nga disa zona të kryeqytetit, por një problematikë e tillë ishte e shtrirë në të gjithë Shqipërinë.
Qytete si Tirana, Durrësi, Elbasani, Korça, Kukësi, Vlora, Lushnja, Fieri e Berati ishin në terr energjetik për disa minuta.
Në Tiranë furnizimi me energji elektrike u garantua vetëm pas 30 minuta ndërprerje. Ndërkohë që u shoqërua me problematika të shumta nga defektet në pajisjet elektroshtëpiake e deri te bllokimet e ashensorëve në pallatet e larta duke bërë që mjaft qyetarë të ngecin brenda për minuta të tëra.
OSHEE nuk ka bërë asnjë njoftim për ndërprerjen e papritur të energjisë elektrike në të gjithë vendin.
Një luhatje e tillë tensioni rrit rrezikun për të dëmtuar elektroshtëpiaket. Shumë abonentë familjarë por edhe biznese janë ankuar vazhdimisht për luhatjet e tensionit këto ditë të nxehta.
OSHEE ka publikuar ditën e djeshme një postim, ku ka njoftuar se dritat do të iknin në disa zona në Tiranë, ndërkohë që, ajo që ndodhi shkonte përtej kryeqytetit.
Ndërprerja e energjisë nuk la pa prekur as institucionet shtetërore. Gjykata Kushtetuese ndërpreu seancën ku po shqyrtohej mandati i Olta Xhaçkës, për të rinisur më pas mbledhjen me rikthimin e energjisë.
(BalkanWeb)