KE ka nisur hetimet ndërkombëtare për incidentin me energjinë elektrike, ku pati ndërprerje në 4 shtete. Dje pati ndërprerje të energjisë në Shqipëri, Mal të Zi, Bosnje e Hercegovinë dhe pjesërisht në Kroaci. Rrjeti Europian i Energjisë ka reaguar në lidhje me incidentin në fjalë, ndërsa sqaron se po heton rastin.

ENTSO theksoi se pas hetimeve do të përcaktohet dhe shkak i kësaj ndërprerje, që preku 4 shtetet.

REAGIMI I RRJETIT EUROPIAN TE ENERGJISE
Më 21 qershor 2024 rreth orës 12:20, një incident i madh në rrjet ka ndodhur në pjesën juglindore të sistemit energjetik të Evropës Kontinentale. Incidenti rezultoi në ndërprerje të rrjeteve elektrike të Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnje-Hercegovinës dhe një ndërprerje të pjesshme në Kroaci. OST-të e prekura, me mbështetjen e OST-ve fqinje, rikthyen energjinë në rrjetet e tyre brenda rreth 2 orësh, duke synuar minimizimin e ndikimit të ndërprerjes tek konsumatorët.

ENTSO-E aktualisht është duke mbledhur të gjitha të dhënat teknike relevante për këtë ngjarje nga OST-të e prekura dhe do të ofrojë më shumë informacion sa më shpejt të jetë e mundur.

Në përputhje me metodologjinë e shkallës së klasifikimit të incidenteve, Komiteti i Operacioneve të Sistemeve i ENTSO-E do të kryejë një hetim të detajuar të kësaj ngjarjeje në javët në vijim, me mbështetjen e një paneli ekspertësh.

E kujt është përgjegjësia për ndërprerjen e energjisë?
Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi apo Bosnje Hercegovina. Kush është përgjegjës për blak out-in energjetik një ditë më parë që përfshiu pesë shtete të Ballkanit? Drejtori i Qendrës Kombëtare Dispeçer, në Mal të Zi Ranko Rexhiç, në konferencën për media tha dje se nuk kanë informacion se çfarë ka ndodhur saktësisht. “Kjo do të përcaktohet nga Shoqata Evropiane e Operatorëve të Sistemit të Transmetimit, e cila është pjesë e Komisionit Evropian. Ata do të kenë informacion të detajuar dhe të saktë pas hetimit.”

Rexhiç tha se nuk mund të komentonte pretendimet e mediave rajonale se Mali i Zi dyshohet se ishte përgjegjës për ngjarjen. Ai shpjegoi se ishte një dështim rajonal dhe se çfarë ka ndodhur do të tregojë hetimi nga organi zyrtar i KE-së.

Ai po ashtu tha se shkaku i aksidentit nuk ka qenë faktori njerëzor dhe se “as nuk duhet të mendojmë për këtë”, dhe se një shqetësim i tillë nuk ka ndodhur në Mal të Zi në 30 vitet e fundit. “Shkak mund të jetë edhe tranzicioni i gjelbër (burimet e rinovueshme të energjisë) sepse ai treg është shumë aktiv”, tha ai.

6 muaj hetime
Zyrtarët kroatë, siç raportojnë mediat lokale, zyrtarisht njoftuan se kolapsi teorik mund të kishte goditur të gjithë Evropën, sepse sistemet energjetike janë të lidhura dhe se është e papërgjegjshme të bëhen supozime para hetimit zyrtar nga organet evropiane, i cili zakonisht zgjat. gjashtë muaj.

“Ne jemi dëshmitarë të një prishjeje rajonale të sistemit elektroenergjetik dhe të fajësosh Malin e Zi për këtë do të ishte jashtëzakonisht e gabuar. Problemi u ngrit si rezultat i një ngarkese shumë të madhe, rritjes së ngarkesës ditore dhe temperaturave shumë të larta. E gjithë kjo çon në faktin që rryma nuk mund të transmetohet siç duhet dhe po vijmë tek ajo që ndodhi sot”, tha ministri i Energjisë dhe Minierave në Mal të Zi Sasha Mujoviç në një fjalim zyrtar për mediat, shkruan media malazeze, Vijesti.

OST: Defekti ka filluar nga linja e interkoneksionit me Greqinë
Operatori i Sistemit të Transmetimit ka reaguar duke zbuluar shkakun e ndërprerjes së energjisë elektrike. OST bën me dije se shkak kanë qenë temperaturat ekstreme, ndërkohë që defekti, sipas njoftimit, ka filluar nga linja e interkonjeksionit me Greqinë. “Defekti ka filluar nga linja e interkoneksionit me Greqinë dhe më pas ka vazhduar me efekt kaskadë në të gjithë vendin. Është identifikuar defekt edhe në linjën e Prizrenit. Nga kqyrja fillestare rezulton se volumet e larta të transmetimit si dhe temperaturat ektreme kanë qenë shkaktarët e shkëputjes totale të linjave të transmetimit”, thuhet në reagimin e OST.

(BalkanWeb) 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb