Bledar Sinella nuk do jetë më trajner i Laçit për pjesën e mbetur të sezonit.

Tekniku kavajas pas një takimi kokë me kokë me numrin 1 të kurbinasve, Pash Laskaj, ka dhënë dorëheqjen pasi në klub janë të pakënaqur me rezultatet e arritura, sidomos në javët e fundit.

Ky është trajneri i tretë që largohet nga Laçi këtë sezon. Kurbinasit e nisën kampionatin me brazilian Marcelo Troisi i cili rezistoi deri në fillim të tetorit, për t’ia lënë vendin përkohësisht Ramadan Ndreut. Në fillim të janarit drejtimin e skuadrës e mori Sinella, i cili detyrohet të largohet gjashtë javë para fundit, raporton “Panorama Sport”.

Kujtojmë që Laçi është nga skuadrat më të rrezikuara për të shoqëruar Korabin në kategorinë e parë për sezonin tjetër. Kurbinasit aktualisht gjenden në vendin e 9-të me 29 pikë, 2 më pak se Flamurtari i vendit të 8-të.

Nga emrat më të përfolur për të zëvendësuar Sinellën është Stavri Nica, një emër i njohur i futbollit shqiptar.

Takimi i radhës për Laçin është të shtunën kundër verilindorëve të Kukësit në shtëpinë e këtyre të fundit.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb