PRISHTINË

Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Bashkimin e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, organizuan për të pestin vit me radhë panairin tradicional “Blej Shqip” për nder të Ditës së Flamurit.

Panairin në sheshin “Skenderbeu” në qendër të Prishtinës e hapën kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Ahmeti tha se në panair ekspozohen më shumë se 130 biznese, prej të cilave gjysma janë nga Shqipëria, ndërsa gjysma nga Kosova. Ai theksoi se panairi mbahet në rrethana të veçanta politike, dhe kujtoi se dje në Pejë qeveria e Kosovës dhe Shqipërisë nënshkruan më shumë marrëveshje për heqjen e të gjitha tarifave mes dy vendeve.

“Besoj që edhe me këtë panair ku e dërgojmë mesazhin që tarifat në mes të dy shteteve tona mes Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës duhet të bien dhe në të njëjtën kohë të kemi një treg të përbashkët ku prodhuesit nga të dyja anët e kufirit mund të shesim lirshëm”, tha Ahmeti.

Ai tha se është shumë me rëndësi për ekonominë e dy shteteve që sa më tepër të promovohen prodhimet shqiptare, se kjo nuk ka lidhje me nacionalizmin, as nuk është kundër të tjerëve, por forcohen prodhimet shqiptare, shkruan AA.

Ambasadori i Shqipërisë, Minxhozi tha se ky vit ka qenë i suksesshëm dhe se shkëmbimi tregtar mes dy vendeve deri në fund të vitit do të jetë mbi 220 milionë euro.

“Megjithatë, ne nuk jemi të kënaqur, mundësitë janë për shumë më tepër, pse jo edhe për dyfishim, në qoftë se këto tarifa të deritanishme, në qoftë se këto pengesa burokratike, jo të zvogëlohen, por të hiqen të gjitha. Unë shpresoj që viti i ardhshëm do të na gjejë me arritje më të mëdha, me zhvillim të madh në shkëmbimin e ndërsjellë”, tha Minxhozi.

Në panairin “Blej shqip”, që do të zgjasë nga 27 deri më 29 nëntor, mes tjerash janë ekspozuar produktet e mjaltit, aronisë, ullinjve, veshmbathjeve popullore dhe zejeve të tjera.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: