TIRANË- Gazetari i emisionit “Opinion”, Blendi Fevziu ka qenë i ftuar nga moderatorja Fjodora Fjora në emisionin “Chic” në News24 ku ka folur për punën e tij, emisionin, jetën personale, madje edhe udhëtimet e tij përtej Europës.


Fevziu tha se vetëm me politikë nuk mund ta mbash opinion publik duke treguar edhe disa nga sekretet për të tërhequr audiencën. Ai tha ndër të tjera se ka një përzgjedhje të njerëzve që fton, jo në bazë të emocioneve personale por për të vërtetën, raporton “BalkanWeb”.


Fjodora Fjora


“Është bërë gati e pamundur ta mbash opinionin publik me politikë. Politika në vetvete është inekzistente. Ka shumë njerëz që as personalisht nuk i duroj dot, por nuk ka lidhje. Emisioni s’ka lidhje me emocionet personale. Emocionet personale nuk kanë vlerë, kështu i kam thënë edhe stafit. Ka pasur një përzgjedhje. Kam lënë jashtë njerëz që ti e kupton që shpifin. Në emision asgjë nuk është kot”, tha Fevziu.

Në lidhje me festën e organizuar për 20-vjetorin e “Opinion” Fevziu tregoi se përveç figurave të njohura, politikanëve ka pasur njerëz që kanë qenë të afërt për “Opinion”. I pyetur nëse mbante mend personin e veshur më bukur, Fevziu tha se ka qenë i fokusuar tek transmetimi.

“Më ka ndodhur që iu kam dhënë dorën dhe nuk i kam fiksuar. Kam qenë i fokusuar tek transmetimit, por nuk kisha as monitor, as kufje. Më bëri përshtypje se njerëzit ishin kujdesur për pamjen. Kishte pak teprim jo shumë në raport me atë çfarë duhej”, tha Fevziu.

Ai tregoi edhe për një sondazh me grupe fokusi të bëra në shërbim të rritjes së audiencës së emisionit.

“Ne bëmë një sondazh dhe doli që të rinjtë nuk e shihnin emisionin nëse nuk kishte një të ri nën 25 vjeç në studio sepse thoshin që na duket sikur janë prindërit që na bëjnë moral. Po kështu doli që me 8% rritej audienca nëse në panel kishe një femër”, tregoi Fevziu.

Për sa i përket pasioneve dhe udhëtimeve, Fevziu tha se i kanë pëlqyer gjithmonë zhytjet, çka e praktikon bashkë me vajzën, ndërsa bashkëshortja jo, por se tani ka mundësi teknologjike që e lejojnë t’i dokumentojë. Ai tha se më shumë i pëlqen Azia dhe Afrika.

“Shpeshherë udhëtimet në Europë më duken përsëritje. E papritura që të jep Azia, Afrika është e jashtëzakonshme”, tha Fevziu.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb