Në studion e emisionit “Kjo Javë”, në News24, ishte i ftuar gazetari Blendi Fevziu, i cili teksa foli për librin e tij më të ri “Tirana e Nonës”, tregoi edhe një histori të vërtetë, që i ka ndodhur kur ishte kur ishte nxënës shkolle. Fevziu tha se ka qenë nxënësi më i mirë i historisë dhe sa herë kishte kontrolle mësuesja e ngrinte në mësim.

Por, një radhë, grupi i kontrollit nga Drejtoria Arsimore e Tiranës, pasi e kishte dëgjuar të tregonte historinë e kryeqytetit, i kishin thënë mësueses se ai nuk mund të vijë më në klasë pa prindërit. Kështu, Fevziu tha në “Kjo Javë” se kishte marrë gjyshen e tij, që ai e thërriste ‘nona’ për t’u përballur me ta.

“Nona”, siç tregon Blendi, i kishte vënë përballë fakteve, duke bërë që drejtori i shkollës ta cilëson një keqkuptim këtë veprim me nxënësin dhe ta kalonte çështjen në heshtje.

Në libër ju thoni z.Fevziu që ‘nona’ nuk impresionohej nga partia, dhe as nga njerëzit e famshëm. A është kjo një veçori e saj që ju e keni të trashëguar?
Jo, nuk e di. Kjo ishte gjëja që doja t’i jepja edhe unë një përgjigje kur shkruaja librin. Dmth ishte një personazh i zakonshëm, as i famshëm, as ndonjë person që kishte zë publik. Ishte një person fare fare i zakonshëm, për të mos thënë e izoluar në botën e saj. Por kishte një histori. Mendoj që personaliteti dhe karakteri i njeriut ngjizen në një kohë të caktuar dhe më pas është shumë e vështirë ta ndërrosh. Dmth, gjithë personazhet që vinin nga një kohë relativisht e lire, e kohës së mbretërisë apo para, vitet e para të shtetit, kishin një lirshmëri. Dhe në raport me komunizmin u konformua pa e cënuar thelbin rebel të tyre, ndërkohë që kush lindi në komunizëm lindi i konformuar. Dmth ti kishe frike të reagoje për çdo gjë ndërkohë te to kishte patur një periudhë përpara frikës. Kam përshtypjen që te ato, ishte pikërisht kjo druajtje. Ishte vajza e njërit prej njerëzve më të fuqishëm të Tiranës, në një nga familjet më të pasura, ku studionte në një nga shkollat e mira të Vjenës, u martua me një personazh po ashtu të rëndësishëm politik, që ishte ministër i brendshëm, deputet, shef i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë, pavarësisht se ngeli e ve shumë shpejt dhe në këtë moment ajo e kishte plazmuar karakterin e saj me një lloj krenarie.

Pjesa tjetër ishte një lloj përshtatje, pra, ti nuk mund të kundërshtoje në komunizëm se shkoje në burg. Në komunizëm nuk mund të thoje gjera të këqija se shkoje në burg. Ajo nuk pati lidhje me këtë ajo nuk e kontestoi komunizmin në lidhje me këtë. Ajo e shpërfilli komunizmin me të njëjtën mënyrë që komunizmi i shpërfilli ata. Komunizmi nuk i konsideroi. Ajo e shpërfilli komunizmin, u mbyll në shtëpinë e saj dhe pati disa shkëndija. Unë e them, një nga shkëndijat e rishfaqjes së këtij personaliteti erdhi në momentin kur erdhi në shkollën time në një moment që unë pata një vështirësi. Ende sot e kujtoj atë, njeriu detyrohet të përballet në jetë me momente të ngjashme dhe që ta them me pak fjalë për shikuesit: Unë isha nxënësi më i mirë i historisë dhe i letërsisë në shkollën time dhe një ditë, do kem qenë në klasën e shtatë erdhi një kontroll nga Drejtoria Arsimore e Tiranës, mësuesja tha ka ardhur kontrolli, ata u ulën në bankën e fundit ishin tre veta dhe unë e dija që do më çonte mua. Zakonisht ndodhte kështu kur kishte kontrolle, mësuesja më çoi, unë fillova të shpjegoj historinë e Tiranës sipas rrëfimit që më kishte bërë nona, sipas legjendave që dëgjoja në familje, që nga Sulejman Pash Bargjini deri tek Kapllan pashë Toptani e më tutje. Kjo ngjalli një surprizë të madhe në klasë, mësuesja u entuziasmua shumë e më pas erdhi e më tha që kontrolli është shumë i shqetësuar, sepse ti ke folur për një Tiranë pashallarësh, kurse Tiranën e ka bërë klasa punëtore dhe Partia. Se si mund ta bënte klasa punëtore Tiranën në 1600 hajde shpjegoje po ishte një botë absurde dhe ti duhet t’i përshtateshe absurdit dhe tha kemi marrë një vendim që pa ardhur prindërit në shkollë të mos kthehesh.

Unë kisha një problem në këtë rast, shkova i thash gjyshes që duhet të vijë në shkollë, isha shumë i mërzitur dhe ajo më tha PO do të vij unë, nuk ka problem. Më pyeti edhe një herë si e tregove historinë, ia tregova nga fillimi më tha në rregull nuk ke gabuar asgjë dhe erdhi, madje një natë përpara u mblodh bashkë me motren dhe kushërirën e tyre dhe po diskutonin që për arsye se stërgjyshja ime kishte babain të dekoruar si një nga patriotët, ishte njeriu që kishte ngritur flamurin në Tiranë, xhaxhai i saj ishte patriot me një nga dekoratat më të larta. Gjyshi i saj ishte po ashtu një nga njerëzit që kishte vdekur në një nga burgjet e Perandorisë Osmane për lidhjen shqiptare të Prizrenit dhe ajo kishte gjithë dekoratat në shtëpi dhe motra e saj i tha merri të gjithë dekoratat kur të shkosh dhe e shoqja e tyre dhe kushërira e largët i tha merr edhe dekoratën e babait tim dhe me shumë seriozitet motra e saj i tha jo se babai yt ka patur aktivitet patriotik në Korçë, jo në Tiranë. Dmth dukej një absurd, ajo erdhi në shkollë i tha mësueses që ..mësuesja filloi të fliste pak egër dhe ajo i tha më fal pak, vajza e kujt je ti?

Ajo ngeli, i tha një emër nuk e di… Ajo i tha unë jam vajza e Refik Toptanit që ka ngritur flamurin në Tiranë, xhaxhai im quhet Murat Toptani, ka ngritur flamurin në Vlorë me Ismail Qemalin, gjyshi im është filani ka qenë kryetar i Lidhjes Shkrimtare të Prizrenit për Tiranën, zonjë këto tha i di gjithë Tirana, i di historia, i di dhe partia, që ka kërkuar që djali im të mos bëjë mësim, sepse i ka dekoruar, nëse ti më thua këtë gjë unë do të shkoj në Komitet të Partisë dhe do të them që ju keni dalë kundër qëndrimeve që ka mbajtur partia që i ka dekoruar këta njerëz dhe i tha pastaj që ta dish ti moj zonjë, se zonjë thoshte nuk thoshte shoqe, se mbase nuk di asgjë, edhe Ismail Qemali ka qenë ‘Bej’, quhej Ismail Beu edhe Abdyl Frashëri ka qenë Bej, ka patur boll bejlerë e pashallarë të këqij tha po ka patur shumë prej tyre që kanë bërë Shqipërinë. Ajo ngeli në një gjendje.. mësuesja s’po dinte.. kjo i thoshte thuaj më fal tani djalit, sepse unë do shkoj .. pastaj e zgjidhi situatën drejtori, shkollës, një tirans i vjetër që tha ne e kemi djalin nga nxënësit më të mirë ndoshta ka qenë një keqkuptim .. edhe kaluam. Qëlloi që në vitin e katër gjimnaz, ishte ai ankthi del shkolla s’del shkolla, unë isha me një shok të shkollës time dhe ishim në shtëpinë e tij, dhe babai i tij më tha: shiko shkolla do të dalë se ti je nxënës shumë i mirë, po mos bëj atë gabim që bëre në orën e historisë. Ai kishte qenë një nga ata të tre që kishin ardhur kontroll që unë se mbaja mend.

Pasioni për historinë mund të ketë ardhur nga këto tre gra me ndikim në jetën tuaj, po për letërsinë nga buron?
Letërsia ka qenë pasioni i parë. Unë dëgjoja për historinë pastaj filloi të më intrigonte. Pasioni për letërsinë, nuk e di besoj është i lindur. Që kur kam hapur sytë isha i rrethuar nga libra, në gjermanish, libra në italisht në shqip. Jam rritur në një bibliotekë në të cilën gjëja e parë, prekjet e para të këtij fëmije janë kopertinat e librit. Mbaj mend Gendsbi i madh, ishte në italisht dhe vinte me një kopertinë të një makine të kuqe të një gruaje të bukur të viteve 20. Ishte një moment që kopertinat më magjepsnin pastaj fillova të ndihmoja babin në një process për të ngjitur dhe për të lidhur kopertinat e prishura. Ai më mësoi mori vinovil, ca plastika dhe inkelite e filluam të lidhnim librat akoma kam disa nga librat. Pra fillon pasioni fillova të lexoja, në shtëpi gjithësecili lexonte, secili kishte nga një libër në dorë, televizori nuk ishte aq aktiv sa tani. Qëllonte që i doja prindërit që flisnin për librin. Po besoj është e lindur. Unë isha i bindur që do vazhdoja për letërsi. Madje im at më thoshte shko për mjekësi se isha me nota të mira dhe unë nuk kisha asnjë lloj pasioni për mjekësinë. Ai këmbëngulte dhe ndoshta kishte të drejtë, se edhe unë sot do mendoja si ai. Thoshte që mjekësia është profesion, arkitektura është profesion, kurse letërsia thoshte nuk është profesion, mund të kesh një profesion tjetër edhe të jesh letrar i mirë.

Tirana e Nonës përmban një galeri të jashtëzakonshme përsonazhesh por që nuk mund të bëhen pengesë për rrjedhën e ngjarjeve. Është një veçori kjo për të përfshirë kaq shumë personazhe?
Jo, ajo ka qenë një qëllim për të treguar një gjë tjetër. Është shumë e cuditshme, kur shkruaja librin fillon të ndjesh që larmia e personazheve para komunzimit ishte e jashtë zakonshme, ashtu sic ishte jeta e shumë protagonistëve, ndërkohë që vitet e komunizmit u njëtrajtësua. U bë monokrom, nuk kishte më asgjë që të ndryshte nga njëra tjetra. Jam munduar të mos flas për personazhet e njohur e të famshëm se sa për personazhet e zakonshëm. Sepse mendoj se sot jeta e shoqëria funksionon me këto qindra e mijëra e miliona njerëz fare të zakonshëm që nuk kanë protagonizëm që nuk dalin në TV, që nuk dalin në portale, që nuk I njohin në rrugë, që bëjnë një jetë të përditshme, dalin nga shpia shkojnë në punë, kthehen pinë një kafe, bisedojnë … kjo është jeta rreale, ky është motorri që e mban botën të lëvizur përpara dhe këta janë njerëzit më pak të evidentuar dhe njerëzit për të cilët flitet më pak, prandaj unë vendosa te kjo galeri personazhesh.

A ka një autocensurë tuajën kur shkruani, sepse dua t’ju pyes a ka patur momente të ndonjë detaji apo qoftë edhe personazh që jeni menduar gjatë që nuk duhet të shkruanit, ishit i pavendosur?
Në asnjë moment, isha i bindur që do ta shkruaja librin siç ishte, nuk lënë asnjë gjë, nuk kam lënë gjërat siç i di unë, se nuk i di të gjitha me detaje, momentin që shkruaja librin kishte shumë pikëpyetje që më dilnin përpara dhe unë s’mund t’i përgjigjesha dot. Njerëzit e afërt që kishin një farë moshe nuk jetojnë më, personazhet e tjerë, dinin më pak se sa unë, unë mund të dija më shumë se ata. kështu që libri ka brenda vetes shumë pikëpyetje të cilave unë s’i jepja dot përgjigje dhe besoj se sot e tutje nuk kam për ‘ti dhënë më kurrë, disa gjëra i kam zgjidhur përmes dokumenteve historike që i kam zgjidhur në arkvië të shtetit. Po këtu bëhet fjalë për gjëra në event historik ti nuk mund të gjesh gjëra personale në arkivë. Dilema ka, kurse ato që kam shkruajtur i kam shkruajtur ashtu sic i mendoj unë, dhe më bën përshtypje një gjë feedback-u i lexuesve, dhe në një botim tjetër dua t’i përfshi në fund të librit, për të kuptuar se si e lexon një libër secili që e ka atë në dorë.

Një studiuese e ka cilësuar veprën tuaj, Elsa Skënderi, si një sagë familjare të shkruar me një stil realist gazetaresk. Kur shkruani a e keni synimin që vërtet duhet të kuptoheni nga publiku?
Po shumë, dhe ky është problemi më i madh me pjesën më të madhe të letërsisë shqiptare, që është shumë e sofistikuar dhe vazhdon të ketë një lloj manierizmi i cili ka filluar të zhduket që në mes të shekulit XX. Libri duhet të komunikojë me publikun, ajo ideja që libri është vetëm për një elitë, nuk duhet të funksionojë më. Libri duhet të shkojë sa më shumë dhe në këtë rast gazetaria më ka dhënë një ndihmë shumë të madhe, sikurse të pengon në anën tjetër sepse shumë fraze ti kthen në gazetarekse të thata, një lloj cinizmi që një autor letrat nuk do e bënte. Gazetari është njeri i ftohtë dhe cinik në shumicën e rasteve kurse një shkrimtar ka tjetër lloj bote.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb