Nga: ERMELINDA HOXHAJ

TIRANE- Të rinjtë shqiptarë do të kenë mundësi që të zhvillojnë aftësitë e tyre profesionale në ndërmarrje dhe kompani të ndryshme italiane. Numri i përfituesve nuk është i përcaktuar, pasi kjo do të jetë në varësi të sipërmarrjeve dhe biznesit italian, ku të rinjtë do të zhvillojnë praktikën profesional 3 deri në 6 muaj. Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi zhvilloi një takim me ambasadorin italian në vendin tonë, Massimo Gaiani dhe delegacionin e Ministrisë së Punës së Italisë në lidhje me bashkëpunimin në fushën e formimit profesional të të rinjve shqiptarë. Fillimisht fusha ku të rinjtë do kenë mundësi të kryejnë praktikë në vendin fqinj ka të bëjë me turizmin dhe më saktësisht profile në sektorin e lundrimit dhe kantiereve të barkave.

MARRËVESHJA
Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë e Shqipërisë dhe Ministria e Punës dhe Politikave Sociale italiane janë angazhuar për të çuar më tej bashkëpunimin në fushën e formimit profesional të të rinjve shqiptarë, me qëllim përgatitjen e tyre me përvojën italiane dhe sjelljen më pas të kësaj përvoje në Shqipëri. Gjatë takimit të zhvilluar midis ministrit Blendi Klosi dhe ambasadorit italian në Shqipëri, Massimo Gaiani, u ra dakord që mes dy ministrive të bashkëpunohet më tej për tëpromovuar instrumentin e praktikës profesionale në Itali, kjo si një vullnet i shprehur më parë edhe në marrëveshjen që ka nënshkruar MMSR-ja me shoqatën e sipërmarrësve italianë të sektorit të lundrimit sportiv dhe porteve turistike.

Më konkretisht, të rinjve shqiptarë të interesuar për t’u aftësuar me përvojë perëndimore do u jepet mundësia të përzgjidhen nga ndërmarrje në Shqipëri që të kryejnë për një periudhë 3 deri 6-mujore praktikë formuese pranë ndërmarrjeve në Itali. Në bazë të kësaj marrëveshjeje pala italiane, me kërkesën e ndërmarrjeve të përfshira do të lehtësojnë identifikimin e institucioneve trajnuese në Itali dhe të ndërmarrjes pritëse për punëtorët e zgjedhur. Ndërsa pala shqiptare merr përsipër të sigurojë mbështetje dhebashkëpunimin e nevojshëm në Shqipëri, në fazën e identifikimit të nevojave profesionale të ndërmarrjeve të përfshira dhe të aftësive teknike për zhvillimin sektorial të profileve të kërkuara në sektorin e lundrimit dhe kantiereve të barkave.

“Me ambasadorin dhe me përfaqësuesit e lartë të Ministrisë së Punës folëm për një marrëveshje të re që do të ndërmarrim me Ministrinë e Punës, për mundësinë e punësimit profesional”, tha ministri Klosi. Ndërsa ambasadori italian theksoi gatishmërinë e qeverisë italiane për forcimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi, me qëllim rritjen e kapaciteteve profesionale të punonjësve shqiptarë.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb