E quan veten djalë 64­-vjeçar, që di të japë puthje artistike, luan pingpong në duele profesionistësh në rang ballkanik, masazhoterapist me famë, dhe ka një pronë 300 mijë euro në Burrel. Dalip Gjoka është burrë i martuar me dy vajza, dhe gjysh i një mbese, por po kërkon një fillim të ri sentimental në jetën e tij. I ka shkrepur në kokë të arrijë atë që familja apo miqtë e konsiderojnë “marrëzi”, t’i propozojë martesë të lumtur Bleona Qeretit. Nuk e mban veten për Don Zhuan e nuk vuan nga sindroma e Don Kishotit që po lufton me mullinjtë e erës, por thotë se e gjitha është çështje ndjenjash. Pasi ka dërguar pranë redaksisë së gazetës “Panorama” një letër propozimi për martesë dedikuar Bleonës, ky mjek pediatër në prag pensioni na rrëfen për dashurinë që i ka lindur në distancë, dhe pse ka vendosur të vetëofrohet si burri altruist i një këngëtareje në qendër të vëmendjes mediatike.
pediatri

Një letër drejtuar Bleona Qeretit, ku i kërkoni t’ju marrë në konsideratë si një ndër kandidaturat për të qenë burri dhe babai i fëmijës së saj. Si lindi kjo ide?
Se çfarë mund të bëj e kam shprehur te letra, që kam dërguar në adresë të saj. Është një meditim shumë serioz dhe i ndjerë. Do të isha i lumtur të kontribuoja me vlerat e mia, si mjek pediatër, sportist, e masazhoterapist, për t’ia shtuar vlerat kësaj artisteje e jo për t’ia pakësuar. Nuk mendoj si mund të përfitoj unë prej saj, por si mund t’i gjendem pranë në këtë propozim.

Sa kohë t’u desh për ta shkruar atë letër?
Pasi meditova, i hodha çfarë ndjeva në letër për 30 minuta. Më pas u konsultova me një psikologe të re, D. H., cila më njeh shumë mirë. Ajo nuk e quajti as çmenduri, aventurë apo një lajthitje timen këtë letër, por më dha Ok­in.

Kishe ndonjë moment pendese?
Në fillim po, por tani jam shumë i vendosur.

Nga mënyra si e ke shkruar propozimin për martesë në adresë të Bleona Qeretit, duket si kontratë paramartesore e përpiluar me logjikë të ftohtë. Ç’të shkrepi në kokë t’i kërkosh dorën një artisteje kaq publikisht?
Së pari i shpreh mirënjohjen time të madhe gazetës prestigjioze “Panorama”, sepse duke qenë lexues i rregullt i saj, kam kuptuar që ju jeni promovues të talenteve të spikatur dhe të shpirtrave të lirë, që fatkeqësisht nuk janë kaq të shumtë në Shqipëri. Intervista e fundit që Bleona Qereti dha për gazetarët në Tiranë, dhe që ishte botuar në faqet tuaja më bëri të meditoj për të si femër e veçantë që është, dhe t’i vetëafrohem për të qenë pranë si burri i saj i ardhshëm.

Bleona është shpirt i lirë, që mund t’ju marrë në konsideratë sipas jush?
Patjetër, si artiste e madhe dhe këngëtare e mirënjohur është shpirt i lirë. Për mua është dhe vajzë pa komplekse, e sinqertë, jo hipokrite kur flet për veten.

Çfarë ta preku zemrën në fjalët e këngëtares, që ty të lindi kjo ide për të qenë burri i saj? Siç e thashë kemi të bëjmë me një vajzë që është talent i spikatur. Bleona ka bërë një jehonë në botë, dhe ka lartësuar shumë imazhin e Shqipërisë. Mbi të gjitha më preku zemrën natyra e saj e hapur. Është artiste që vë në dispozicion të fansave të saj veten origjinale, me meritat apo mangësitë që ka. Unë e admiroj shumë si person që rrëfen sinqerisht momente nga jeta e saj, pretendimet e mëtejshme apo pengjet që ka nga e shkuara.

Në këtë hap që po hedh je thjesht një egoist që kërkon të vetëkënaqesh me këtë histori, apo burrë altruist?
Po jua sqaroj me pak fjalë pozicionin tim. Për mua Bleona ka sakrifikuar shumë për talentin e saj, dhe unë jo se shpreh keqardhje për të, por me ngacmon dhe më shtyn të bëhem mbështetje e plotë. Kështu i bëra pyetjen vetes: “Ç’mund të bëj unë për Bleona Qeretin dhe familjen e saj për t’ia lehtësuar sadopak brengat, nga fakti që nuk e kuptojnë sa duhet shpirtin e saj të lirë këtu në Shqipëri? Për mua mbetet person i veçantë se ka jo vetëm bukuri fizike, por edhe bukuri intelektuale. Nuk po e bëj aspak për egoizëm, por me zemër dua të jap kontributin tim për këtë artiste të madhe.

Cila është kënga e saj që të ka mbetur në mendje dhe çfarë kishe dëgjuar më parë për të si artiste?
“Unë kam qejfin tim dhe s’pyes asnjeri”, janë vargjet e një prej këngëve të saj që na bëjnë optimistë, më të hapur me të tjerët e të gatshëm për t’i dhënë kënaqësi dhe pozitivitet jetës. Më parë e admiroja, e tani me shumë për jehonën që ka shkaktuar në Shqipëri dhe SHBA.

Çfarë je në gjendje t’i ofrosh asaj në aspektin shpirtëror?
Në aspektin shpirtëror kam mundësi t’i gjendem shumë pranë. Sepse duke qenë mjek, pavarësisht nga vitet që kam mbi supe, them se më kanë mbetur ende vlera për të kontribuar për të. Mendoj se kjo artiste e madhe s’do mbetej e fyer, nëse unë do t’i kërkoja të bëhem baba i fëmijës së saj pa asnjë kompleks, sepse është e lehët të bëhesh baba, por e vështirë të bëhesh prind. Por do e lejoja që të vazhdonte karrierën muzikore pa asnjë pengesë.

Ndien për Bleonën, ke rënë në dashuri në distancë?
Po, ndiej.

Nëse Bleona do e pranonte propozimin tënd, çfarë ke planifikuar për të?
Së pari, kësaj artisteje të madhe e të nderuar do t’i krijoja mundësinë të bëhej nuse Mati, e nuse Burreli. Do t’i vija në dispozicion një banesë të këndshme, një apartament dy dhoma e kuzhine, me pishinë e një kompleks sportiv, duke surprizuar vetë Bleonën de prindërit e saj. Lind pyetja mund ta bënte këtë Bleona? Po pse jo! Kur njerëz nga SHBA vijnë për të jetuar në Valbonë, pse ajo të mos e bëjë këtë. Ka arritur çka mundur në Amerikë, ndaj ky është një moment që duhet të reflektojë. Unë e di që mund të ishte bërë një nuse sheiku apo miliarderi, por me sa di kërkon një burrë shqiptar.

Bleona është mësuar me jetë luksi. Ti me çfarë pasurie mund të prezantohesh si kandidat i saj?
Njeriu bën sipas mundësive, dhe kam përshtypjen që mund të linte gjithçka. Personalisht zotëroj një pasuri në Burrel, një kompleks sportiv në vlerën 300 milionë lekë, i ndërtuar në një sipërfaqe 250 metra katrorë. Por dua të theksoj që në asnjë mënyrë unë nuk dëshiroj që ajo të bëhet pengu im, dhe i askujt tjetër. I bëj thirrje kësaj artisteje, këtij shpirti të lirë, se unë vë në dispozicion gjithçka timen shpirtërore dhe fizike për t’i dalë në krah dhe për t’ia lehtësuar jetën asaj.

Nëse ajo merr në konsideratë këtë propozim, do kërkoje martesë me celebrim?
Jam i hapur për çdo mënyrë martese që do të biem dakord.

Por ti ke një jetë personale, je i martuar dhe baba i dy vajzave. Pra s’jeni në kushte të barabarta?
Si fillim unë kam besim te vlerat intelektuale të vajzave të mia, dhe ime shoqeje mjeke, që është ish­-e dashura ime e parë, dhe që vitet e fundit ka pasur disa probleme shëndetësore. Por le të zbresim pak me këmbë në tokë, pasi martesa ime me të është e konsumuar prej 10 vitesh, edhe pse unë nuk kam plan t’i kthej shpinën. Por kjo s’do të thotë se kjo më pengon mua të shfaq ndjenjat apo mendimet e mia hapur, qoftë edhe ndaj Bleonës.

Dikush mund të të gjykojë si një burrë aventurier, që braktis gruan moshatare dhe kërkon të martohesh me një grua më të re?
Kjo është pyetja e duhur për personin tim, pasi më ngacmon që të heq maskën dhe të jem i sinqertë në përgjigje. E gjithë jeta ime ka dëshmuar atë që nuk jam aventurier, madje e fus veten te meshkujt me më pak mëkate. Kujtoj vetëm një tradhti gjatë gjithë jetës sime, kur martesa po jepte shenjat e para të mosfunksionimit.

Ti i ke dy vajza, dëshiron të sjellësh në jetë një djalë?
Jo, do të dëshiroja vajzë me Bleonën, sepse nga pikë­ pamja gjenetike unë mund të jem baba vajzash.

E ke imagjinuar ceremoninë e dasmës, si do të jetë?
Po. Dasma më e mirë për mua do të ishte që Bleona, qoftë edhe për një natë, të bëhej nuse Mati. Organizimin do ta merrte përsipër Bashkia, e cila në mënyrë të përshpejtuar do t’i dorëzonte titullin “Qytetar Nderi”, këngëtares. Do të doja të ishin pranë saj tre ish-kolegët në “X Factor”, Pandi Laço, Alban Skëndëraj e Miriam Cani.

Dasmë për një natë, duket si një ceremoni për show më shumë, apo jo?
Jo, nuk është aspak kështu. Do të ishte një ngjarje shumë e rrallë për t’u ndier qoftë edhe për një natë i lumtur. Madje, të ftuarit e mi specialë do të jenë Kryeministri Edi Rama me bashkëshorten Linda, dhe ish-­kryministri Sali Berisha me bashkëshorten, Liri, të cilin e kam njohur nga afër në vitet ‘90.

Për martesën e saj të më­ parshmë ke dëgjuar?
Jo, s’kam asnjë kompleks për të shkuarën. Më intereson vetëm Bleona.

Deri tani thua do ofrohem, por martesa është dhënie­-marrje? Çfarë kërkon nga një bashkëshorte artiste?
Së pari, pranimin e propozimit që të jetë bashkëshortja ime pasi do të ishte vlerësimi më i madh për mua. Pastaj unë nuk pretendoj që ajo të jetë bashkëshortja tradicionale, nusja e shtëpisë që të merret me punët e rëndomta. Unë do isha i lumtur dhe do e pranoja edhe si bashkëshorte në distancë. Nëse do Zoti që unë të jem babai i fëmijës së saj, do tregoja vlerat e mira për të rritur një fëmijë të një bashkëshorteje jo të zakontë.

Le ta quajmë këtë një ëndërr me sy hapur, por si do e përjetoje një refuzim nga Bleona?
Jam njeri me karakter të fortë dhe i vetëpërmbajtur. Nuk do të ndihesha aspak i mërzitur, përkundrazi, krenar që mora guximin për t’i ofruar shanset e mia Bleonës. Për më tepër, dua të theksoj se dhe unë jam një njeri i lirë, dhe s’do kërkoja kurrë që ajo të bëhej robina ime, siç është mentaliteti i shumë burrave shqiptarë për gratë e tyre.

“KAM FIZIK TË MREKULLUESHËM PËR MARRËDHËNIE SEKSUALE”

Çfarë kë fantazuar për takimin tuaj të parë?
Do të ndihesha i gëzuar që në takimin e parë të arrinte të promovonte kripin e saj të ri në Burrel, një trevë me tradita shekullore. E do të ndihesha i lumtur dhe krenar, nëse, qoftë edhe për një natë të jem burri i saj. Vlerat e Bleonës veçse do të shtoheshin e nuk do të pakësoheshin.

Pjesa më e komentuar e trupit të Bleonës janë vithet. Si sportist si e gjykon trupin e saj? Unë mendoj se ka një botë shpirtërore ideale, që i përputhet me fizikun, 1,74 m e gjatë. Mua më duket e përsosur edhe pse e përkryer është vetëm Perëndia.

Si masazhoterapist, si do t’i shërbeje?
Si mjek masazhist do të kontribuoja që trupi i saj të mirëmbahej dhe jo të deformohej në vitet në vazhdim. Kam qenë mjek sportiv pranë klubit Flamurtari të Vlorës dhe masazhoterapist për vajzat e kësaj skuadre, kampione për vite të tëra, kështu që jam profesionist për të kuruar fizikun femëror.

Një pyetje paksa intime: Si një 64-vjecar, ti je në moshë për të nisur një marrëdhënie të shëndetshme seksuale?
Unë klinikisht ndihem 50 vjeç. Sipas literaturës mjekësore, thuhet se meshkujt janë potentë deri në moshën 80-vjecare, nëse kanë bërë një jetë të mirë. Një sportist si unë është më i privilegjuar, pasi unë kam fizikun më optimal në këtë aspekt. Them se nuk do të jetë tabu mosha ime.

Një femër në moshën e Bleonës ka shumë kohë për të sjellë në jetë fëmijën e parë?
Te femrat fatkeqësisht në moshën 45-vjecare fillon menopauza. Ndërsa Bleona pa diskutim 10 vite kohë për t’u bërë nënë. Por duke pasur në krahë gjithë mbështetjen e një personi mjek si unë do e kishte më të lehtë, pasi do t’i sillja lehtësi fizikut të saj, gjendjes shpirtërore, duke e stimuluar dhe jo duke iu bërë pengesë.

Është Bleona personi ku varet lumturia juaj?
Besoj po, do më jepte një shans për t’u ndier më i ri, pasi po përjetoj një ndjenjë të madhe me të.

Beson te dashuria?
Po, por besoj te dashuria e madhe në shumë plane, jo ajo e kufizuar te seksi.

Kujton ndonjë marrëzi të ngjashme në jetë?
Jo, asnjë. < strong>(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb