TIRANE
Është e vështirë ta bësh publike një histori familjare, aq më tepër kur ajo është e trishtë. Por zëri i një këngëtari, në fakt, ka për qëllim të bëhet zëri i të gjithëve kur shikon se fabula e këngës gjen veten edhe te shumë njerëz të tjerë, në rastin konkret, shumë gra si ajo…
Blerina Braka konkurroi mbrëmjen e sotme me këngën “Mirëmëngjes” në “Kënga Magjike”, një tekst i shkruar nga Elios Shuli. Siç tha artistja, është një dedikim për motrën e saj dhe bashkë me të, edhe për shumë gra të tjera që kanë vuajtur po njësoj si ajo nga një marrëdhënie.
“Është një dedikim, është një pjesë e përjetuar nga motra ime, e cila ka pasur një jetë me probleme, si shumica e grave në Shqipëri”. Më lidhet me historinë time dhe kur e këndoj, realisht hyj, sepse kujtoj atë pjesë që ka përjetuar ime motër, sigurisht kur je në familje… Është një pjesë që e kam përjetuar edhe unë vetë“,– tha ajo duke falënderuar edhe bashkëpunëtorët e këngës.
“Mirëmëngjes”, vjen si një protestë dhe thirrje shprese nga një grua dhe nënë e përkushtuar – për shumë gra – nga ato që luftojnë për jetën dhe ato që jetojnë për të rritur jetë.