TIRANE – Blerjet online e kanë kaluar pragun e risisë, duke u kthyer tashmë në rutinë për shumë njerëz. Numri i atyre që kanë zëvendësuar “shoppingun” (blerjet) tradicionale, dyqan më dyqan, me një shëtitje virtuale nëpër internet, ka ardhur çdo ditë në rritje. Këtë e tregojnë më së miri shifrat e Postës Shqiptare mbi sasinë e paketave të vogla apo kolipostave, që tërhiqen çdo ditë në sportelet e saj. Referuar shifrave të vitit 2014, dalim në përfundimin se ka një rritje me 55.8 për qind të paketave të vogla dhe kolipostave. “Kjo rritje vjen kryesisht nga blerjet online, të cilat sipas të dhënave operative mendohet të përbejnë rreth 60% të totalit të paketave dhe kolipostave. Gjatë viteve 2010¬2012 numri i blerjeve online ka qenë minimal, si rezultat edhe totali i objekteve postare (koli dhe paketa) ka qenë shumë herë më i ulët”, thuhet në një analizë të Postës Shqiptare. Por si ka qenë saktësisht trendi i paketave të vogla? Shifrat tregojnë se në vitin 2010 ishin vetëm 57 mijë, kurse në vitin 2011 rreth 70 mijë paketa të vogla të tërhequra pranë Postës Shqiptare. Në vitin 2012, ky numër do të arrinte 107 mijë paketa të vogla, ndërsa në vitin 2013 173 mijë paketa. Viti paraardhës ka edhe një rritje të theksuar nëse e krahasojmë me 2013. Të dhënat e Postës Shqiptare tregojnë për 255 mijë paketa të vogla. Por ka një ndryshim të madh në shifra, nëse vë¬ mendjen e përqendrojmë te paketat e vogla të porositura. Këto lidhen direkt me blerjet online. Kështu, ndërsa në vitin 2010 ishin vetëm 24 mijë paketa dhe në vitin 2011 vetëm 26 mijë paketa, rezulton që për vitin 2012 të kemi 38 mijë paketa dhe për 2013 87 mijë paketa. Kulmi rezulton në vitin 2014 me 234 mijë paketa.
DESTINACIONET
E ndërsa tendenca për blerjet online ka ardhur në rritje, duket se kanë ndryshuar edhe desticanionet se ku blihet. Në fillimet e përdorimit të blerjeve online më shumë blihej nga Anglia dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por së fundmi gjithçka e ka pushtuar Azia e më saktë Kina. Në toplistën e destinacioneve ku bëhen porositë që kryesisht janë veshje, vendin e parë e mban Kina dhe pas saj vijnë me radhë Singapori apo Tajvani. Kjo lidhet me koston e ulët të blerjeve dhe aplikimin e “free shipping” (transport falas), që zbatohet nga bizneset online në këto vende. Tashmë nuk janë vetëm individët ata që porosisin, por sidomos bizneset. Këta të fundit kanë arritur që përmes porosive online të shkurtojnë shpenzimet e tyre të transportit për të shkuar dhe për të zgjidhur produktet në destinacion. Të dhënat e Postës Shqiptare tregojnë se nga individët blerjet online i bëjnë kryesisht të rinjtë, kurse bizneset që bëjnë furnizim me shumicë po vijnë çdo ditë e në rritje. Kjo tregon se, përveç ndërgjegjshmit për uljen e kostove, ka edhe një ndryshim në mentalitetin e njerëzve lidhur me frikën e të blerit të diçkaje që s’e ke provuar, prekur apo parë nga afër.
(er.nu/panorama/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: