Në total mbi 700 forca policie do të jenë të angazhuara për mbarëvajtjen e rendit dhe të sigurisë gjatë vizitës së Presidentit turk Erdogan. 700 forca policie, që përfshijnë Antiterrorin, Gardën, FNSH, RENEA, efektivë të rendit, por edhe të policisë Rrugore të Tiranës do të jenë të dislokuar në terren. Po ashtu edhe SHISH do të kenë agjentë të shumtë në terren. Në terren nga policia do të jenë edhe grupet anti-eksploziv që vëzhgojnë rrugët kryesore dhe kanë në mbikëqyrje gjithë perimetrin e sigurisë.
Policia e Shtetit ka marrë një sërë masash të detajuara për sigurinë e presidentit turk duke filluar nga aeroporti i Rinasit, shoqërimi drejt Tiranës në vendet ku do të zhvillohen takimet dhe shoqërimi në përfundim të vizitës.
Një nga masat e planit të detajuar konsiston në sigurimin e rrugëkalimit të presidentit turk. Masat e ndërmarra nga Policia e Shtetit janë në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese turke. Eskortimi i presidentit Erdogan dhe siguria e tij do të bëhet grupi i posaçëm i eskortës së tij të sigurisë, mbështetur edhe nga Garda e Republikës dhe RENEA. Ndërkohë që nga Ankaraja kanë mbërritur efektivë të Gardës turke e gjithashtu edhe shërbimet sekrete nga ky vend.
Shërbimet e Policisë do të jenë prezente në të gjitha akset rrugore hyrëse dhe dalëse të qytetit të Tiranës dhe në rrugët e tjera në brendësi të kryeqytetit, me qëllim marrjen e masave për të siguruar dhe rregulluar trafikun në rrugët alternative.
(BalkanWeb)