Sekretari i shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony Blinken, ka thënë të premten se ka shqetësime të thella në Azi për mundësinë e përhapjes së konfliktit në Lindjen e Mesme, teksa shefi i OKB-së ka bërë thirrje për t’u bërë gjithçka e mundur që të mënjanohet “lufta e plotë” në Liban.
Konflikti në Lindjen e Mesme ka qenë çështja kryesore gjatë Samitit të Azisë Lindore në Laos të premten, ku Blinkeni ka theksuar se Washingtoni ishte i dedikuar ta përdorë diplomacinë, në përpjekje për ta kontrolluar situatën në atë që e ka quajtur, bosht të rezistencës i udhëhequr nga Irani, raporton Reuters.
“Fokusi kryesor i SHBA-së, që ka qenë i tillë qe një vit, është parandalimi i përhapjes së konfliktit. Dhe po merremi me këtë çdo ditë”, ka thënë Blinkeni në një konferencë shtypi. “Po punojmë shumë përmes parandalimit dhe diplomacisë, për ta parandaluar që kjo të ndodhë. Ekziston gjithashtu shqetësim i thellë për gjendjen e vështirë të fëmijëve, grave dhe burrave në Gaza”.
SHBA-ja ia ka theksuar Izraelit, rëndësinë e plotësimit të nevojave humanitare të njerëzve në Gaza, sipas Blinkenit, duke shtuar se ishte në interesin e Izraelit që njerëzit e zhvendosur nga armiqësitë në Liban të mund të kthehen.
Samiti vjetor i Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) përfshiu gjithashtu takime me liderë dhe diplomatë të lartë nga India, Kina, Japonia, Shtetet e Bashkuara, Rusia, Koreja e Jugut, Australia dhe Zelanda e Re, si dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.