Sekretari i Shtetit, Antony Blinken u takua në Izrael me Kryeministrin Benjamin Netanyahu ndërsa Uashingtoni rifilloi përpjekjet për armëpushim, pas vrasjes së udhëheqësit të Hamasit, Yahya Sinwar.

Vizita e Sekretarit Blinken vjen vetëm disa orë pasi Izraeli dhe grupi militant libanez Hezbollah kanë vazhduar të kryejnë sulme ajrore ndaj njëri tjetrit. Uashingtoni, së bashku me vendet arabe në rajon, kanë bërë përpjekje për muaj të tërë për arritjen e një armëpushimi, por asnjëra palë nuk duket e gatshme të tërhiqet nga kushtet e tyre. Izraeli gjithashtu pritet të sulmojë Iranin si kundërpërgjigje ndaj sulmit iranian me raketa më 1 tetor.

Gjatë takimit me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të martën, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken i bëri thirrje Izraelit që të përfitojë nga kushtet e krijuara nga vdekja e udhëheqësit të Hamasit Yahya Sinwar për të siguruar lirimin e pengjeve, njoftoi Departamenti i Shtetit. Sipas njoftimit, Sekretari Blinken i tha Kryeministrit Netanyahu se tani është krijuar mundësia për t’i dhënë fund konfliktit në Gazë.

Zoti Blinken theksoi gjithashtu nevojën që Izraeli të rrisë ndihmat humanitare që lejohen të hyjnë në Gazë, shtoi më tej njoftimi i departamentit pas takimit në Jerusalem.

Sekretari Blinken pritet të takohet edhe me Ministrin izraelit të Mbrojtjes Yoav Gallant dhe zyrtarë të tjerë në fillim të një udhëtimi njëjavor gjatë të cilit ai do të shkojë edhe në Jordani dhe Katar.

Ai arriti në Izrael të martën në përpjekjen e parë të Shteteve të Bashkuara për të arritur një armëpushim në Lindjen e Mesme që kur Izraeli vrau udhëheqësin e Hamasit javën e kaluar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb