Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka theksuar se ka ardhur koha për të arritur një zgjidhje diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit në Liban midis Izraelit dhe grupit Hezbollahu teksa ka bërë thirrje për mbrojtjen e civilëve.
Të premten duke folur përballë tij përpara një takimi dypalësh në Londër, Ministri i Jashtëm jordanez Ayman Safadi i ka thënë Blinkenit se në veri të Gazës po ndodh spastrim etnik, ku forcat izraelite kanë intensifikuar fushatën e tyre ushtarake javët e fundit.
Diplomati më i lartë amerikan ndodhet në Britani për të takuar liderët arabë, pas një turneu në Lindjen e Mesme këtë javë, i pari i tij në rajon që kur Izraeli vrau liderin e Hamasit, Yahya Sinwar.
Washingtoni, aleati i ngushtë i Izraelit, ka shprehur shpresën se vdekja e Sinwarit mund të japë një shtysë për t’i dhënë fund luftimeve në Gaza, raporton Reuters.