Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ndodhet në Doha të enjten për takime me zyrtarët e Katarit, të cilët kanë patur rol të rëndësishëm si ndërmjetës me Hamasin, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara po hasin vështirësi për të zhbllokuar negociatat për armëpushim ndërmjet Izraelit dhe grupit militant.

Ky është udhëtimi i 11-të i Sekretarit Blinken në Lindjen e Mesme që nga fillimi i luftës.

Ndërkohë, ushtria libaneze njoftoi të enjten se një sulm izraelit vrau tre ushtarë të saj, përfshirë një oficer ndërsa po evakuonin të plagosurit nga pjesa jugore e Libanit. Në zhvillime të tjera, Presidenti francez Emmanuel Macron tha se vendi i tij do të dërgojë një paketë prej 100 milionë euro ndihma për ta mbështetur Libanin.

Lufta ndërmjet Izraelit dhe Hamasit filloi pasi militantët e grupit palestinez sulmuan vendbanimet izraelite më 7 tetor të vitit 2023, duke vrarë rreth 1,200 persona, shumica e të cilëve civilë dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë. Në Gazë, mbi 42,000 palestinezë janë vrarë në ofensivën e Izraelit, sipas zyrtarëve vendas, të cilët nuk bëjnë dallim mes viktimave civile dhe militantëve.

Zyrtarët humanitarë të Kombeve të Bashkuara po njoftojnë për “nivele të tmerrshme vdekjesh, plagosjesh dhe shkatërrimi” në pjesën veriore të Gazës ku Izraeli po zhvillon edhe një operacion tjetër të madh.

Izraeli po ashtu po lufton kundër Hezbollahut në Liban. Ministria e Shëndetësisë e Libanit thotë se gjatë vitit të fundit 2,500 persona janë vrarë dhe 12,000 janë plagosur. Luftimet në Liban kanë detyruar 1.2 milionë njerëz të braktisin shtëpitë e tyre, përfshirë mbi 400,000 fëmijë, sipas agjencisë së OKB-së për fëmijët.

Hezbollahu njoftoi të mërkurën se Hashem Safieddine, njëri prej zyrtarëve të lartë të organizatës, që pritej të bëhej udhëheqësi i ardhshëm i grupit militant, është vrarë nga një sulm ajror izraelit. Gjatë javëve të fundit, sulmet izraelite kanë vrarë shumicën e udhëheqësve të lartë të Hezbollahut.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: