PD dhe partitë e saj aleate në opozitë do të zhvillojnë prej orës 18.00 të pasdites së sotme një protestë kombëtare të konsideruar atipike nga ato të kaluarat. Njoftimi paraprak është se protesta do të zgjasë 4 orë me radhë, por ka të dhëna se ajo pritet të shkojë përtej orës 22.00.

Detaje lidhur me skenarin e protestës dha zv/presidentja e PL, Erisa Xhixho në studion e News24 me gazetaren Nisida Tufa. Ajo tha se nuk duhet patur frikë nga protestat pasi siç shprehet Xhixho, i bëjnë mirë demokracisë dhe vendit.

Tubimi i sotëm, tha Xhixho, do të jetë pikënisja e një vale protestash të organizuara nga opozita kundër qeverisë.

“Protesta i bën mirë demokracisë dhe Shqipërisë, nuk duhet të frikësohemi nga protestat apo çfarë ndodh. Në protestat e kaluara nuk ka patur përplasje, as incidente. Ka patur qytetarë të shoqëruar në masë, pa ligj, edhe pse vendimi i GJK thotë se arrestimet nga policia duhet të bëhen në mënyrë të arsyetuar, por arrestimet kanë ndodhur masivisht. Duhet të respektojnë ligjin që të mos kemi asnjë incident, apo kalim të kompetencave të tyre. Qytetarët janë në të drejtën e tyre për të protestuar në çdo shesh. Unë do të jem në protestë, do të jetë lidershipi i PL, zoti Meta dhe anëtarët tanë do të jenë aty. Nuk mendoj se do të jetë thjesht një protestë e radhës, por do të jetë në vazhdën e shumë protestave derisa ky regjim të dëgjojë thirrjet e opozitës dhe qytetarëve që zgjedhin të largohen nga Shqipëria”, u shpreh numri 2 i PL, Erisa Xhixho.

BalkanWeb ka mësuar se skenari i protestës së sotme parashikon bllokimin e akseve kryesore rrugore në Tiranë. Mbështetësit do të mblidhen fillimisht te Kryeministria dhe më pas do të marshojnë drejt pikave nevralgjike të kryeqytetit, për të paralizuar qarkullimin. Protestuesit pritet të mblidhen edhe para Parlamentit, Bashkisë së Tiranës dhe disa institucioneve të tjera.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb