Kryetarja e grupit parlamentar të PDIU, Mesila Doda, e ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24 ka komentuar zhvillimet e fundit në kampin e opozitës, duke thënë se kjo e fundit ka të drejtën e saj të zhvillojë aksionin opozitar.

Sipas saj bllokimi i çdo kërkese të opozitës për mocione, debate apo të tjera nga ana e mazhorancës socialiste është një mekanizëm i gabuar.

Duke u ndalur te puna e SPAK, Doda tha se Prokuroria e Posaçme sot ka një mbështetje të madhe, jo vetëm nga faktori ndërkombëtar, por edhe nga shqiptarët, që sipas saj e shohin si “shpresën e vetme” për të ndryshuar diçka.

“Pati një evidentim nga RAI3, një shkrim nga Bild dhe opozita ka të drejtën e saj të ketë aksionin e saj opozitar. Sa i përket mënyrës si u zhvilluar seanca plenare, nuk është se pati tymuese, pati një debat më të ashpër, deri këtu nuk ka asgjë. Ajo që më duket si një mekanizëm i gabuar nga mazhoranca është bllokimi i çdo kërkese të opozitës për mocione, debate, etj.

Opozita vetëm fjalën ka, është pushtet i madh, por nëse ka frikë edhe nga fjala ky nuk është tregues i një demokracie të shëndetshme. Qeveria do bëjë punën e vetë si ekzekutiv, ndërsa parlamenti do bëjë punën e vetë. Kam thënë se do Zoti nuk mblidhen të gjithë bashkë dhe ta heqin SPAK-un. Sot SPAK ka mbështetje shumë të madhe, jo vetëm amerikanët, por ka mbështetje të madhe nga shqiptarët. Këtë e shohin si shpresën e vetme për të ndryshuar diçka, unë vetë e shoh të tillë. Ka bërë një punë të mirë, ka edhe gabime, por diçka po lëviz”, tha ajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb