Është mbyllur pa incidente protesta e opozitës, pas orësh mosbindje civile. Opozita protestoi në 6 pika kryesore, nga Miloti në Levan, duke bllokuar akset rrugore.

Prej orësh 17:00 deri në orën 20:00 mbështetësit e opozitës mbajtën të bllokuar ish-sheshin Shqiponja në Tiranë, Levanin, rrethrrotullimi i Bradasheshit, ai i Rrogozhinës dhe rrethrrotullimi i Shkozetit si dhe Kurbin.

Protestuesit kanë lejuar kalimin e autoambulancave, ku më të shpeshtat kanë qenë kalimi i tyre në ish-sheshin Shqiponja.

Me përjashtim të disa tensioneve të regjistruara kryesisht në Tiranë mes protestuesve dhe forcave të policisë, protesta e opozitës ka shkuar qetësisht, pa incidente.

Në Shkozet, Milot dhe Tiranë janë djegur disa goma, por pa probleme, ndërsa policia nuk ka ndërhyrë, ndërsa i ka drejtuar thirrje protestuesve me megafon që të shpërndahen dhe të zhbllokojnë rrugët.

Flamur Noka, Sekretar i Përgjithshëm i PD-së, e konsideroi një ditë të jashtëzakonshme atë të sotme, duke theksuar se i gjithë vendi ishte në duart e opozitës. “Qytetarët bënë gjithçka që të shmangin përplasjen me forcat e policisë. Ishte një ditë e zezë e bandave të pushtetit. Tentuan të intimidojnë opozitën, mosbindja civile po jep frytet e veta”, tha Noka.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb