Pak ditë pasi anoncoi nismën për një diskutim me prindërit për rrjetet sociale TikTok dhe SnapChat kryeministri Edi Rama bashkë me ministren e Arsimit Ogerta Manastirliu kanë nisur konsultimin në gjimnazin “Sami Frashëri”.

Ministrja Manastirliu në fjalën e saj tha se është shumë e nevojshme që trinomi, fëmijë, familje dhe shkollë duhet të forcohet që të ketë një bashkërendim më të mirë të gjithë mekanizmave mbrojtës ndaj dhunës së çdo lloj forme.

“Nisim sot dëgjesat dhe këshillimet me prindërit sa i përket fuqizimit të mëtejshëm të mekanizmave për parandalimin e çdo forme dhune apo bullizmit, të fokusuar te rrjetet sociale. E them këtë, sepse na duhet një bashkëpunim dhe intensifikim i komunikimit me prindërit, që jeni një faktor përcaktues që fëmijët të kenë gjithë potencialin e tyre të plotë në arsim dhe mbi të gjitha që edhe shkolla në detyrën që ka ta intensifikojë këtë trinom të pandashëm. Kemi nisur këtë tur për të diskutuar së bashku për të gjitha proceset edukative, por edhe aspektet që lidhen me instrumentet e çdo lloj dhune të çdo lloj forme, apo bullizmin apo bullizmin kibernetik”, tha Manastirliu.

Ministrja risolli në vëmendje ngjarjen e rëndë të vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani, nxënës në shkollën “Fan Noli”, nga një bashkëmoshatar i tiji. Sipas Manastirliut, ngjarja e ndodhur disa ditë më parë mbetet tragjike dhe ka shqetësuar dhe hidhëruar të gjithë, prindër, qytetarë dhe strukturat e arsimit në vend.

“Është një moment për të reflektuar dhe për të fuqizuar në mënyrë të vazhdueshme instrumentet parandalues, që ne i kemi të ngritura, duke krijuar mundësinë që të fuqizojmë këto struktura që i kemi brenda shkollës. Kemi sot në gjithë sistemin arsimor 850 punonjës socialë dhe psikologë, kemi një shërbim psiko-social që funksionon, që është aty për të ndihmuar fëmijët dhe të rinjtë. Prej vitit 2018 kemi vendosur që shkollat të kenë edhe oficerë sigurie, e kemi nisur me 15, kemi rritur numrin në 240 dhe do të vijojmë ta rrisim. Kemi protokolle pune për punonjësit socialë, psikologët për detyrat dhe përgjegjësitë, për sistemin e referimit, për çdo lloj ngjarje apo incidenti që duhet referuar. Gjatë vitit 2023-2024 janë mbi dy mijë e pak raste të evidentuara dhe të parandaluara të rasteve që lidhen me dhunën, kryesisht atë fizike, emocionale dhe rastet e bullizmit”.

Ministrja Manastirliu shtoi se në mbi 95% të rasteve, situatat janë referuar te prindërit dhe një pjesë e tyre në organizma apo struktura të tjera, si Policia e Shtetit, struktura të shërbimit social etj. “Ka një nevojë të madhe që bashkëpunimi me shkollës, familjes dhe komunitetit të rritet dhe forcohet. Ky trinom duhet të rrisë dhe intensifikojë komunikimin”, pohoi Manastirliu.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb