Vetëm dy ditë pas paralajmërimit të kryeministrit Edi Rama se do të ketë “furtunë” në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe se nuk do të tolerohet asnjë që lejon abuzimet, ka nisur në gjithë vendin aksioni kundër informalitetit. Vetë kryeministri Rama ka njoftuar mbrëmjen e kaluar në “Facebook” se kanë nisur të bllokohen bizneset e para, të cilët kanë shkelur ligjin. Duke publikuar foto të bizneseve të bllokuara, Rama shkruan se ka nisur numërimi mbrapsht dhe humbja do të jetë e rëndë për çdo shkelës.

“#STOPINFORMALITETIT! A i’a vlen humbja që sjell bllokimi ligjor për përfitimet nga shkelja e ligjit?! Kushdo që shkel ende ligjin le t’i bjerë lapsit. Numërimi mbrapsht ka nisur dhe humbja do të jetë e rëndë për çdo shkelës”, shkruan Rama.

Ndërkohë, aksioni vijon edhe ditën e sotme, teksa është ministrja e Financave, Anila Denaj, e cila njofton për bllokimin e të tjera bizneseve. Sipas ministres, janë bllokuar një hotel dhe një biznes tjetër, të cilët deklaronin një xhiro fiktive të të ardhurave dhe nuk lëshonin kupon tatimor.

“A është e mundur që një hotel me sipërfaqe 1000 m2, 8 punonjës të deklaruar dhe 31 dhoma, ka deklaruar si xhiro për muajin Qershor 46.160 Lekë. Ndërkohë vetëm në ditën që është bërë bllokimi xhiro ka qenë 127.000 Lekë. Një biznes tjetër me sipërfaqe 1000 m2, 4 dhoma dhe 9 punonjës të deklaruar, përveç se deklaron një xhiro fiktive konstatohet për të dytën herë që nuk lëshon kupon tatimor! #STOPINFORMALITETIT”, thekson Denaj.

Kujtojmë, që para dy ditësh Rama u tregua shumë i ashpër me administratën tatimore dhe inspektorët e punës, teksa gjatë prezantimit të drejtoreshës së re të Tatimeve, Delina Ibrahimajn, theksoi se rezultati do të jetë bazik për çdo drejtor e punonjës të administratës shtetërore. Duke iu drejtuar të gjithë bizneseve në vend, ai u bëri thirrje që të lëshojnë rregullisht kuponin tatimor, pasi në të kundërt pasojat do të jenë të rënda.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb