DURRËS- Bllokohet në portin e Durrësit një sasi e madhe parash në valutë të huaj. Burimeve nga Porti i Durrësit bënë me dije për gazetaren Klodjana Haxhiaj se bëhet fjalë për një shumë prej miliona eurosh. Valuta është gjetur në një mjet që po hynte në territorin shqiptar.

Mësohet se eurot, me prerje të ndryshme ishin fshehur në një makinë tip “Toyota Yaris” pa targa. Mjeti ishte nisur nga Belgjika dhe nuk kishte destinacion përfundimtar.

Sipas burimeve nga porti, dyshohet që të jenë para të siguruara nga aktivitete kriminale. Policia ka nisur hetimet për zbulimin e burimit të parave dhe destinacionin e tyre por në rrugë zyrtare nuk ka ende asnjë njoftim apo deklaratë nga Policia e Shtetit.

AKUZAT E BASHËS
Të enjten kreu i PD-së LUlzim Basha bëri një akuzë të fortë në seancën plenare kur tha se Taulant Balla kishte qenë tre ditë më parë në Gjermani, e kishte marrë një makinë “Toyota Yaris” me 1,5 milionë euro të drogës brenda.

“Zgërdhihuni! Ai që zgërdhihet aty ishte edhe para tre ditësh në Gjermani. Të kanë zbuluar “Toyota Yaris” o zgërdhitës me 1,5 milionë euro të drogës brenda, vazhdo qesh zgërdhitës. Shkonte në Gjermani ju thoshte ne s’kemi probleme, s’kemi drogë, korrupsioni po luftohet”,- tha ai.

Por duke iu përgjigjur akuzave, Balla mohoi të kishte qenë në Gjermani dhe përmendi emrat e Mimi Kodhelit, Lulzim Bashës dhe Sali Berishës si politikanët shqiptarë që kanë shkuar këto 20 ditët e fundit në Gjermani.

“Në Gjermani, në 20 ditët e fundit kanë qenë: Nga PS, Mimi Kodheli, nga PD Sali Berisha, dhe Lulzim Basha. Këta di unë që kanë qenë në Berlin. Tani nëse Saliu ka qenë me drogë në Toyota Yaris dhe e ka parë Lulzimi kjo është çështje dueli për lidershipin e PD. Lulzim Basha ka probleme si Babalja. Të kesh parë një person qoftë deputet me një Toyota Yaris me 1,5 milionë euro para të drogës dhe të mos e denoncosh…”,- tha Balla.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: