Në librin e tij “Blloku”, mjeku i njohur për opinionin publik shqiptar si diabetolog, i sprovuar dhe njëkohësisht po kaq i provuar si mjek personal i Enver Hoxhës, Isuf Kalos, midis të tjerash flitet për gruan çeke Maria Saas, e cila për një gjysmë shekulli shërbeu si dado në familjen Mehmet dhe Fiqiret Shehu. Ndërkaq, që këtë histori të shumënjohur edhe për të tjerë, e rrëfen si tepër të mistershme, por ndërkohë nuk zotëron asnjë të dhënë për rol të saj enigmatik apo agjenturor, autori në këtë rast dhe jo vetëm në të, shkon më përtej në teknikën e tij të rrëfimit triller me çdo mjet, të interpretimit patjetër spektakolar, teatral mundësisht.

Por ndërsa kjo është joshëse dhe shumë e tolerueshme kur flet për episode dhe njerëz, të cilët në atë të famshëm Bllok nuk përbëjnë asfare histori kombëtare, por janë qenie të vdekshme si të gjithë ne, nuk është aspak kështu kur ato që rrëfen se nënkupton që i di mirë, janë pikërisht histori kombëtare. Këtu ecet me hap të kujdesshëm njeriu të ndërgjegjshëm, por jo duke bërë rrëmujë me putra. Historia kombëtare është mbretëria e së vërtetës, sidoqoftë ajo.

Shkruan doktori Isuf Kalo: “Çudinë e shtonte fakti që në vitin 1954… Mehmeti pasi pati qenë shumë vite ministër i Brendshëm, ishte ngritur në detyrë në postin e Kryeministrit të Shqipërisë. Këtë post bashkë me disa poste të tjera të larta, atë të Sekretarit të Parë të Partisë, të Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë, të kryetarit të Frontit Demokratik dhe të ministrit të Jashtëm i pati mbajtur ekskluzivisht të gjitha Enver Hoxha.

Kalimi i postit të kryeministrit nga Enveri te Mehmeti ka shumë të ngjarë të ketë qenë i detyruar në kuadrin e presionit që bënte Hrushovi pas vdekjes së Stalinit në kuadrin e luftës kundër ‘kultit të individit’ dhe për ndryshime në udhëheqjen e lartë të ‘partive motra’ komuniste. Hrushovi nisi t’i pastronte ato nga sekretarët e parë të kohës së Stalinit. Pas fushatës antistaliniste të nisur nga Hrushovi, kriza e marrëdhënieve tona me kampin socialist ndihej edhe në Shqipëri. Pritej që Mehmeti, si më i preferuari i sovjetikëve, të zëvendësonte Enverin në krye të partisë. Ky i fundit mund të përfundonte ministër Bujqësie”.

Menjëherë më pas doktor Kalo shkruan: “Por Enveri e parandjeu rrezikun dhe në vitin 1955 udhëtoi papritmas, i vetëm për në Moskë. Aty pati bërë vizita dhe takime konfidenciale me disa personalitete VIP. Thuhet se kur u kthye prej andej, Mehmeti tashmë, disi i fryrë dhe i përkëdhelur thuajse hapur prej sovjetikëve hrushovianë, as nuk e priti në aeroport. Madje me pretekstin e luftës ndaj privilegjeve, i pati hequr Enverit në mungesë të tij makinën dhe truprojën personale. Kurse Nexhmijen e pati shkarkuar nga posti i kryetares së Bashkimit të Grave të Shqipërisë.

Mirëpo ishte nxituar. Me sa rezultoi më pas, Enveri i pati fituar në Moskë postet që donte t’i mbante për vete si dhe ato që do t’i ndante. Ai ruajti për vete postin e Sekretarit të Parë të Partisë dhe ndau pushtetin qeveritar me Mehmetin, duke e emëruar atë Kryeministër të Shqipërisë. Njëri do të kryesonte partinë dhe tjetri, si pasardhës potencial i tij, qeverinë. Ky kompromis u ruajt heshturazi, i paprekur nga të dy, deri në vitin tragjik 1981”.

  • foto galeri
  • foto galeri

Pse kjo është e pavërtetë

Duhet thënë se i tërë ky episod është ireal, i pandodhur, nga fundi në krye një gënjeshtër publike. Prandaj edhe publikisht duhet saktësuar, sepse nuk ka të bëjë me limonadat e flirteve dashurore në Bllok apo jashtë tij, as sa cigare pinte Hoxha dhe sa libra lexonte Nexhmija. Ajo çfarë autori dhe çdo tjetër shkruan për raportet Enver Hoxha-Mehmet Shehu përbën histori kombëtare, sepse ky çift qe vetë themeli i ngritjes dhe i ruajtjes së sistemit shoqëror që rëndoi mbi Shqipërinë për një gjysmë të tërë shekulli. Nuk bëhen dot rozë as njëri dhe as tjetri.

Duke qenë se në 1955 nuk kishte asnjë konflikt mes dy të shumëfuqishmëve të regjimit, se as që bëhej fjalë që Enver Hoxha i frikësuar nga revanshi i Mehmet Shehut ia mbathi i vetëm në Moskë, ku gjoja paska takuar privatisht disa VIP-a dhe këta i kanë siguruar ekzistencën, se (ububu!) paska ndodhur që në kthim Shehu as e ka pritur në aeroport dhe se në ditët e mungesës së Enverit në Tiranë kishte shkarkuar (ububu!) Nexhmije Hoxhën nga posti i kryetares së BGSH-së, po përpiqemi t’i parashtrojmë lexuesit atë që provon krejt tjetër situatë nga çfarë shkruhet tek libri “Blloku”.

Duhet thënë fillimisht se doktor Isuf Kalo çfarë ka shkruar për këtë rast nuk ka burim vitet e pranisë së tij në “Bllok” dhe asnjë tjetër kanal informativ të ndodhur në Shqipëri. Thjesht vite më parë ai ka lexuar gazetën “Sot”, në të cilën botohen rregullisht dokumente të çsekretuara të CIA-s. Ja teksti i njërit prej tyre: “Tetor 1955, Hoxha-Shehu, lufta për pushtet. Enver Hoxha u nis për në Moskë më 18 gusht 1955 pasi kyçi personalisht zyrën e tij.

Ai informoi Mehmet Shehun se po nisej për në Durrës ku do të merrte anijen sovjetike, në momentin e fundit. Largimi i papritur i Hoxhës vjen pas vendimit të tij për të realizuar urdhrat sovjetike mbi afrimin me Jugosllavinë, me gjithë kundërshtimin e Mehmet Shehut.

Duke reaguar ndaj lëvizjes, Shehu përjashtoi gruan e Hoxhës nga presidenca e Sindikatës së Grave Shqiptare, si dhe ka hequr rojën personale trupore dhe veturën e Hoxhës.
Më pas Shehu ka vënë në gjendje alarmi ushtrinë dhe Sigurimin si dhe ka përforcuar mbrojtjen kufitare në anën e Jugosllavisë.

Hapi i mëtejshëm i Shehut ishte mbledhja e zyrtarëve të partisë dhe qeverisë në një referendum ‘po’ ose ‘jo’ mbi rinovimin e akordit të miqësisë reciproke me Jugosllavinë, të nënshkruar nga Hoxha në Beograd më 10 qershor 1946.
Rezultati i referendumit ishte 58 për qind ‘jo’ dhe 4 vota ‘po’. Shehu tashmë pritet të informojë autoritetet sovjetike se zyrtarët dhe populli shqiptar konfirmojnë devotshmërinë dhe mirënjohjen e tyre për Bashkimin Sovjetik, por refuzojnë të pranojnë detyrime ndaj Jugosllavisë, të cilat mund të dëmtojnë integritetin, pavarësinë dhe sovranitetin e vendit, siç garantohet nga partia komuniste sovjetike dhe vendet e Paktit të Varshavës.
Më 1 shtator një personalitet i lartë sovjetik erdhi në Shqipëri, për të marrë vesh me pompozitet në Kongresin e tretë të Sindikatës së Grave të Shqipërisë, por në fakt ai ishte përfaqësuesi i Moskës për zgjidhjen e situatës në lidhje me largimin e Hoxhës nga vendi.

Raportohet se Shehut iu bë e qartë se BRSS kërkon zgjidhjen e konfrontimin Hoxha-Shehu, pasi kjo po dëmton situatën e brendshme shqiptare, politikën e jashtme dhe marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike.

Ata shprehën idenë se ose Shehu ose Hoxha duhet të zëvendësohej dhe duke parë qëndrimin e mbajtur nga shumica e liderëve të partisë dhe qeverisë shqiptare, Shehu do të marrë drejtimin e qeverisë, duke u bërë president.

Vendin e tij si kryeministër do ta zinte Kadri Hazbiu. Kabineti i qeverisë do të kishte rotacion për të justifikuar ndryshimet në udhëheqje, si jashtë dhe brenda vendit.
Sovjetikët kërkuan respekt për pozitën e Hoxhës dhe thanë se ai do të kthehet brenda disa ditëve. Shehu raportohet të ketë informuar sovjetikët se ndryshimet në parti dhe qeveri janë e drejtë vetëm e komitetit qendror të partisë dhe se ai do të mbetet në postin e tij për sa kohë që ka besimin e Asamblesë, komitetit qendror dhe popullit.

Ai tha se askush nuk dëshiron të vrasë apo ta adhurojë Hoxhën. Më 3 shtator Hoxha u thye në Shqipëri bashkë me dy gjeneralë sovjetikë. Ai nuk u prit nga Shehu.
Hoxha u informua se Shehu nuk do ta priste atë pa dy ditë njoftim paraprak dhe se do të kontrollohej para se të lejohej të hynte në zyrën e tij.

Planet e Mehmet Shehut, të cilat ende duhet të aprovohen nga sovjetikët janë që ta caktojë Hoxhën në postin e ministrit të Bujqësisë, sa për të kënaqur kërkesat sovjetike.
Por, ai parashikon gjithashtu ta fajësojë atë më pas për gjendjen katastrofike bujqësore dhe ta eliminojë.
Shehu ka gjithashtu në plan të largojë titistin Beqir Balluku dhe të emërojë Rita Markon në sekretariatin e partisë”.

Ky është dokumenti i plotë i CIA-s. Krejtësisht i padokumentuar. Ja pse.

Në ditarin e Enver Hoxhës të vitit 1955

Në datën 21 qershor të këtij moti Enver Hoxha shkruan për mbledhjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor, ku për shkak “të veprimtarisë antiparti dhe armiqësore” unanimisht “aprovuam propozimin e Qeverisë për shkarkimin e Tuk Jakovës nga detyra e zëvendëskryetarit të Këshillit të Ministrave dhe të Bedri Spahiut nga detyra e ministrit të Arsimit dhe të Kulturës…”.

Pas shënimit të 21 qershorit, për muajin korrik dhe gusht nuk ka asgjë. Ndodhet shënimi “Shtator 1955”. Është i pa datuar, por që duhet të jetë shkruar domosdoshmërish para 11 shtatorit, sepse këtë ditë Enver Hoxha regjistron në ditar një duzinë rreshtash për praninë e tij në festën e Reçit.

Poshtë “Shtator 1955” Hoxha vë titullin “Pushimet e sivjetshme”. Më tej vijon teksti: “Pushime u thënçin. 22 ditë rrugë me vapor, me tren e me avion, biseda të gjata, shpesh të mërzitshme, e, në raste të veçanta edhe presione (nuk gaboj që i quaj kështu), për të na detyruar të ndryshonim mendim e qëndrim ndaj titistëve. Tash po reflektoj më mirë për qëllimin e ftesës së përsëritur e këmbëngulëse të shokëve sovjetikë që unë të shkoja sa më shpejt, mundësisht në pranverë, për pushime në Bashkimin Sovjetik”!

Vazhdon pas kësaj: “Ende nuk isha çlodhur pas udhëtimit të gjatë deri në Moskë e takimi i parë me Susllovin më tregoi, thuajse hapur, këtë qëllim”.

Pasi rreshton gjykimet e tij përse sovjetikëve nuk i kish pëlqyer qëndrimi jo i zbutur i PPSH-së për Jugosllavinë dhe Titon, Enver Hoxha vë në dukje se “Susllovi na tërhoqi vërejtjen të mos e shihnim ‘ngurtë’ problemin jugosllav”. Përsa më pas shkruan në ditar, Susllovit i ishte përgjigjur në një mënyrë të tillë që më “zor se do të guxojë kush të na i përsëritë këtë ‘propozim’”.

Vazhdon në një fragment tjetër Hoxha: “Në vazhdën e këtyre erdhi edhe telefonata e Mikojanit pas mesnate. Kërkoi që të nesërmen të takohesha me S. V. Tempon! Tonin e tij urdhërues sikur unë të isha vartës i tij, nuk do ta harroj gjithë jetën. Mbeta pa gjumë gjithë natën, por në takimin që ai kishte organizuar me kohë, desha s’desha, shkova”.

Shënimet e Enver Hoxhës vijojnë edhe më tej dhe në rreshtat e fundit të shënimeve “Shtator 1955” premton se Susllovi dhe Mikojani e kushdo tjetër që u bën presion për pajtim me Titon dhe rehabilitim të Koçi Xoxes do të marrë një përgjigje të prerë, edhe pse jo të formuluar me nxitim.

Në 11 shtator, siç thamë më sipër, në ditar Hoxha shkruan për festën e Reçit, në 18 shtator për festën e Drashovicës dhe në 13 tetor saktësisht: “Sot, në orën 16.00, në sallën e Kuvendit Popullor filloi punimet Kongresi i 4-t i BGSH. Pas fjalës së shkurtër të Nexhmijes (e cila ishte presidente e Bashkimit të Grave të Shqipërisë-shënimi ynë), që hapi kongresin mes entuziazmit të papërshkruar të qindra delegateve të ardhura nga të katër anët e vendit, shoqja Vito Kapo mbajti raportin…”.

Kalojmë tani në një burim tjetër informacioni me autor sërish Enver Hoxhën. Në librin “Hrushovianët”, botimi i vitit 1982, në kapitullin e katërt, “Guri i Provës”, ai mes të tjerash ka shkruar se, “në verën e vitit 1955 më erdhi ftesa që të shkoja “patjetër për pushime në Bashkimin Sovjetik”.

Në kohën e Stalinit unë shkoja atje për punë dhe shumë rrallë për pushime. Në kohën e Hrushovit filluan të na bëjnë një presion të tillë për të vajtur për pushime, sa ishte e vështirë ta refuzoje, sepse çështja nga ana e sovjetikëve shtrohej në plan politik. Por unë nuk kisha qejf të shkoja, sepse në fakt, atje nuk mund të pushoje dhe humbisje shumë kohë. Për të vajtur në Moskë na duhej të bënim 8 ditë rrugë me vapor nga Durrësi në Odesë dhe me vapore jo të mëdha (si “Kotovski”, “Çianturi”), që të shkundnin mirë. Dy ditë të tjera duheshin me tren Odesë-Moskë, një ditë me avion Moskë-Kaukaz, ku shkonim si në Kislovodsk etj. Domethënë 11 ditë rrugë për vajtje dhe 11 për kthim, plus disa ditë mbledhje, kuptohet se ç’pushime ishin këto.

Me të arritur në Moskë do të fillonin takimet me udhëheqësit sovjetikë, por ato takime nuk ishin më të këndshme si ato me Stalinin. Tani ato herë zhvilloheshin me zemërim të mbytur, herë me acarime të hapëta. Kështu ndodhi edhe këtë radhë. Sapo mbërrita në Moskë, pata dy herë takim me Susllovin”.

Pasi përshkruan hollësisht bisedën me të, e cila mund të mos jetë tërësisht e saktë, sepse Enver Hoxha në shumë raste nëpër libër-kujtimet e tij i ka manipuluar në favor të epërsisë së vetes, tregon se, sipas tij, sovjetikët i kishin përgatitur disa kurthe, “plane diabolike” i përcakton. “Kësaj radhe më kishin vendosur në një vilë jashtë Moskës, shkruan, që siç më thanë, ishte qenë e Stalinit”. Pasi e përshkruan hollësisht atë mjedis pothuaj të shkretë, kujton: “Pikërisht në këtë shtëpi një natë dëgjojmë një të trokitur të fortë në derën e xhamit që ndante apartamentin tonë. Nexhmija u ngrit me nxitim, duke menduar se Iliri nuk do të ishte mirë meqë atë ditë qe rrëzuar…”. Por ajo, siç tregon ai, u kthye shumë shpejt dhe i tha se trokitësi ishte një nga oficerët sovjetikë të rojës. I kishte thënë se e kërkonte në telefon Mikojani. “Unë isha i përgjumur dhe e pyeta sa qe ora”, shkruan Hoxha, ndërsa e shoqja që iu përgjigj: “Dymbëdhjetë e gjysmë”. Në pothuaj katër faqe të librit përshkruhet biseda me Mikojanin, zemërimi i Enverit për gjestin urdhërues të funksionarit të lartë sovjetik, kalimi i natës pa gjumë dhe të nesërmen takimi e biseda me Vukmanoviç Tempon.

Çfarë konfirmon Nexhmije Hoxha

Edhe pse brenda familjes dhe kjo e kufizon edhe më tepër mundësinë e saktësisë, burim informativ tjetër është pjesa e parë e dyvëllimëshit të Nexhmije Hoxhës “Kujtime me Enverin”. Ajo shkruan atje në faqen 305 të botimit të parë 1998: “Në verën e vitit 1955 ambasadori sovjetik në Tiranë i solli Enverit ftesën e Hrushovit për të kaluar pushimet familjarisht në Bashkimin Sovjetik. Ambasadori vuri në dukje se shumë nga Sekretarët e Parë të partive të vendeve mike i kalojnë pushimet në Bashkimin Sovjetik, në rajonin e Transkaukazisë, ku ka ujëra termale të mrekullueshme ose në bregun e Detit të Zi. Kjo është një mënyrë, tha ai, për t’u larguar për pak kohë nga preokupimet e përditshme të vendit dhe ju nuk keni ardhur për pushime në vendin tonë. Enveri, deshi s’deshi, i tha mirë. Kur erdhi në shtëpi, na e bëri muhabet këtë. Ai e kishte pasur me dy mendje. Por më në fund më tha: ‘Nuk mund të mos e pranoja ftesën, sepse mund të interpretohet keq’. Kur thoshte kështu kishte parasysh faktin se sovjetikët ishin në dijeni të rezervave që kishte Enveri ndaj atyre që shkruheshin e thuheshin në Bashkimin Sovjetik për Stalinin e sidomos për marrëdhëniet me Jugosllavinë. Megjithatë, Enveri më tha se këto lloj udhëtimesh edhe pse për pushime, në të vërtetë shfrytëzoheshin për bisedime pune midis partive. Prandaj edhe nuk mund ta refuzonte ftesën e tyre”.

Vijon më tej rrëfimin e saj Nexhmije Hoxha, ndërkohë që duhet thënë se këtë libër e ka shkruar në burg dhe në pamundësi të këshillohej me çfarë pati shkruar për këtë episod Enver Hoxha, sepse në birucë nuk i lejoheshin botimet e tij: “Unë nga ana ime, nuk kisha ndonjë merak për të shkuar në Bashkimin Sovjetik, sepse atëherë i kisha fëmijët të vegjël, në një moshë të tillë që as mund t’i lija vetëm për një kohë të gjatë, por as mund t’i merrja me vete, sepse udhëtimi ishte i gjatë dhe i vështirë. Në atë kohë për në Bashkimin Sovjetik mund të udhëtoje vetëm me anije, madje, të tonazhit të vogël, si ajo që mbante emrin ‘Kotovski’, me të cilën udhëtimi vazhdonte 9-11 ditë deri në Odesa dhe një ditë tjetër duhej deri në Moskë e pastaj përsëri udhëtim, kuptohet, gjithnjë me tren, për në një nga qytetet e Kaukazit si, fjala vjen, në Kislovodsk etj. Shumëkush mund të pyesë, përse tërë këto udhëtime me anije, me tren. Sepse në atë kohë shteti jugosllav nuk lejonte as avionët sovjetikë e as avionin tonë qeveritar të kalonte mbi territorin e vet. Kurse brenda Bashkimit Sovjetik udhëtimet bëheshin me tren, ngaqë sovjetikët, me sa duket, këtë e bënin për siguri. Mendo pastaj edhe kthimin po kaq ditë. Pikërisht për këto vështirësi të udhëtimit i dhashë mendim Enverit të shkonte vetëm. Por ai më tha se vetëm nuk kishte ndërmend të shkonte. Prandaj u bëmë gati dhe u nisëm bashkë me fëmijët”.

Më tej, në pothuaj gjashtë faqe, Nexhmije Hoxha rrëfen takimin e Enverit me Susllovin (lë të kuptojë se me këtë i shoqi është takuar vetëm një herë), pastaj pas pushimeve në Kislovodsk, qëndrimi i komanduar në Moskë, ku pasqyrohet me shumë hollësi pasmesnata e telefonatës së Mikojanit dhe të nesërmen biseda e Enver Hoxhës me Vukmanoviç Tempon.

Duhet theksuar se në këtë dëshmi të Nexhmijes nuk ka asnjë citim datash konkrete. Pohohet vetëm që ishte verë.

Dokument blof i CIA-s, apo posaçërisht diversiv?

Edhe pse në Arkivat e Rusisë (dhe të ish-Bashkimit Sovjetik) kanë qenë disa historinë shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova, që të gjithë të kualifikuar dhe pas kësaj ata kanë botuar libra me dokumente të gjetur, nuk kanë mundur dot të pikasin ndonjë fije letre nga prania me bisedime zyrtare të Enver Hoxhës në BRSS gjatë stinës së verës 1955. Kjo dhe shumë arsye të tjera kanë bërë që kësaj ngjarjeje të mos i kushtojnë vëmendje. Në historinë kombëtare ajo ka mbetur gropë. Vetë Hoxha e citon për herë të parë në vitin 1982, e shoqja në 1998. Enver Hoxha sigurisht nuk ka pasur dijeni konkrete për mënyrën se si CIA ia kish interpretuar “pushimet” në BRSS.

Gjithsesi, është fare e qartë që “dokumenti” i agjencisë së mësipërme amerikane të spiunazhit me jashtë nuk ka asgjë të vërtetë e të saktë në ato që shkruan. Enver Hoxha nuk mund të ishte në Bashkimin Sovjetik, përfshi edhe dy udhëtimet 12-13 njëzetë e katër orëshe secili, vetëm 16 ditë sa thotë ajo shkresë (18 gusht-3 shtator 1955). Kongresi i Gruas u rimblodh në tetor dhe rizgjodhi si presidente Nexhmije Hoxhën, të cilës nuk i kishte ndodhur asgjë as gjatë korrik-gushtit, as gjatë fillim shtatorit. Enveri nuk shkoi në BS as fshehtas dhe as vetëm dhe as kur u kthye erdhi me dy gjeneralë sovjetikë për ta mbrojtur. Në 1 shtator asnjë funksionar i lartë nga Moska nuk ka mbërritur në Tiranë për të shpëtuar Enver Hoxhën nga kthetrat e Mehmet Shehut. Nuk po përmendim blofet e tjera të “dokumentit” të CIA-s dhe për rrjedhojë edhe ato, për këtë episod, të librit “Blloku” të Isuf Kalos.

Gjithsesi, jo për ta justifikuar pseudo-dokumentin, por sadopak për ta shpjeguar, sepse CIA është agjenci zbulimi shumë e kualifikuar, ai mund të jetë hartuar në mënyrë false qëllimisht për të shkaktuar diversion përçarës midis Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut, lidhja e fortë e të cilëve qe një mjet i rëndësishëm për mbajtjen gjallë të diktaturës shqiptare prosovjetike. Nga periudha 1951 deri në 1962 ka shumë dokumente të tillë të CIA-s, me të pavërteta diversive për raportet Hoxha-Shehu.

Dihet që kjo strategji kishte nisur në 1951 prej një bisede mes ambasadorit amerikan në Turqi dhe Xhafer Devës.

Tiranë, më 19 korrik 2019

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb