TIRANE

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati ka pritur sot në një takim homologun e tij holandez Stef Blok. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp, ministri holandez deklaroi se Holanda është e përkushtuar që t’i ofrojë ndihmë Shqipërisë për integrimin drejt BE-së. Mes të tjerash ai u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë se çdo orvatje për azil do të jetë e kot.

“Në traditën parlamentare holandeze, pyetet janë ato që i drejtohen qeverisë. Këto pyetje janë pjesë e punës tonë normale. Fondet e BE përfshijnë edhe paratë e tatimpaguesve holandezë. Sa i takon qëndrimit holandez për negociatat, deklaratat janë të njëjta. Është i njëjti mesazh që u kam dhënë edhe vendeve aspiruese. BE është bashkimi i vlerave, dhe sundimit i ligjit. Është mëse logjike që të përdor të njëjtat kritere dhe për shtetet anëtare aspiruese. Jemi të përkushtuar që të ndihmojmë Shqipërinë drejt BE”, -tha Blok.

Ndërkohë, ministri Bushati teksa u pyet në lidhje me faktin se cili mund të ketë qenë gabimi më i madh i tij gjatë detyrës, ai tha se ende nuk ka filluar periudha e reflektimit. “Duhet të kemi bërë më shumë se një gabim. Por periudha e reflektimit nuk ka filluar. Ju garantoj se ajo periudhë do të jetë e plotë”, pohoi ai.
(ed.me/BalkanWeb)




Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: