Shtetet e Bashkuara po rrisin presionin mbi Arabinë Saudite për t’i dhënë fund izolimit politik dhe ekonomik ndaj Katarit, sipas tre njerëzve që kanë informacion në lidhje me këtë çështje, ndërkohë që Mbretëria vazhdon të marrë shuplaka rreth vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi.

Presidenti Donald Trump, pasi u informua javën e kaluar nga Drejtori i CIA-s Gina Haspel, ka folur fare pak për rolin e Arabisë Saudite në vrasjen e Khashoggi, një rezident në SHBA dhe kritikues i brendshëm i Mbretërisë. Por administrata dëshiron ta shohë Arabinë Saudite të zgjidhë krizën me Katarin dhe të ndërmarrë hapa të ngjashme ndaj luftës së saj në Jemen të kritikuar gjerësisht – tha një zyrtar i SHBA, i cili ashtu sikurse edhe të tjerë të cituar në këtë histori, kërkoi të mos identifikohej.

Vrasja e Khashoggit dhe versionet e ndryshuara disa herë nga Arabia Saudite për të shpjeguar atë që ndodhi me të pasi ai hyri në konsullatën e Mbretërisë në Stamboll më 2 tetor, kanë përqendruar vëmendjen në hapat e gabuara të princit të kurorës Mohammed bin Selman dhe kanë ngritur pikëpyetje midis kritikëve nëse ai është i aftë të marrë fronin pas të atit, mbretit Selman.

Ndërkohë që SHBA e ka dënuar vrasjen e Khashoggi – Trump e konsideroi ngjarjen si “një nga më të këqijat në historinë e mbulimeve” – Presidenti dhe ndihmësit e tij më të lartë kanë sinjalizuar vazhdimisht se marrëdhëniet mes SHBA dhe Arabisë Saudite, përfshirë miliarda dollarë në shitje pajisjesh ushtarake, nuk duhet të vihen në rrezik për shkak të vdekjes së gazetarit.

Edhe para vdekjes së Khashoggit, Shtetet e Bashkuara janë gjetur në situatë të vështirë në lidhje me krizën e Katarit dhe luftën në Jemen. Katari është një aleat i SHBA-së që mban një bazë të rëndësishme ushtarake amerikane. Ish-Sekretari i Shtetit Rex Tillerson në mënyrë të përsëritur por pa sukses, u përpoq të negociojë një rezolutë rreth krizës (së Gjirit), e cila ka vënë emiratin e vogël (Katarin) kundër një blloku me katër vende të udhëhequr nga Sauditët.

Zyrtarët e ambasadës saudite në Uashington dhe stafi i komunikimit të Shtëpisë së Bardhë nuk iu përgjigjën kërkesave për koment nëse SHBA-të kanë rritur presionin rreth çështjes së Katarit dhe luftës në Jemen.

E pyetur të hënën se çfarë veprimi ka marrë SHBA pothuajse katër javë pas zhdukjes së Khashoggit, sekretarja e shtypit të Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders u tha gazetarëve se “Administrata po merr në konsideratë se çfarë veprimi do të ndërmarrim për të ecur para”, pasi Haspel mblodhi informacione inteligjence dhe informoi Presidentin.

‘Edhe Katari’
Në një ndryshim toni rreth krizës 16-mujore me Katarin, Princi Mohammed pranoi javën e kaluar fleksibilitetin e “ekonomisë së fortë” të Katarit dhe parashikoi se (Katari) është një nga vendet e rajonit që do të mund të ndryshojë për mirë në pesë vitet e ardhshme.

“Edhe Katari, pavarësisht dallimeve tona me të, ka një ekonomi shumë të fortë dhe do të jetë shumë ndryshe në pesë vitet e ardhshme”, tha princi gjatë Samitit të Investimeve në kryeqytetin saudit, ndërsa shpjegonte vizionin e tij rreth pozicionimit të Lindjes së Mesme në botë.

‘Lufta e Jemenit’
Po aq problematike për SHBA-të ka qenë edhe lufta në Jemen. Konflikti – që ka vënë eksportuesin më të madh të naftës në botë kundër rebelëve Houthi në vendin më të varfër të botës arabe (Jemenit) – ka degjeneruar në një fatkeqësi humanitare, sipas Kombeve të Bashkuara. Shtetet e Bashkuara janë përballur me kritika se kanë përgjegjësi në këtë konflikt për shkak të mbështetjes ushtarake ndaj Arabisë Saudite, përfshirë ofrimin e shërbimeve të inteligjencës, trajnimit dhe informacionit targetues.

Ndërkohë, Arabia Saudite dhe Turqia vazhdojnë të grinden nëse 18 të dyshuarit për vdekjen e Khashoggit do të duhej t’i dorëzohen Ankarasë. Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite tha të shtunën se nuk do të ekstradojë asnjë të dyshuar në Turqi, pavarësisht thirrjeve të Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan për ta bërë këtë si shenjë e vullnetit të mirë.

“Këta individë janë shtetas sauditë, ata janë arrestuar në Arabinë Saudite, hetimi është në Arabinë Saudite”, tha të shtunën Ministri i Jashtëm Adel Al Jubeir gjatë konferencës “Manama Dialogue” në Bahrein. “Ata do të ndiqen penalisht në Arabinë Saudite.”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb