TIRANE-Në një ceremoni të organizuar nga Komisioni Europian në Bruksel, shkrimtarit Ben Blushi i është akorduar Çmimi Europian për Letërsinë nga komisioneri Europian për Arsimin, Kulturën dhe Sportin, Tibor Navraciss. Ai bëhet kështu i pari shqiptar që e ka fituar këtë çmim. Bashkë me Blushin janë gjashtë shkrimtarët nga Ballkani që kanë fituar çmimin si autorët më të mirë, duke e bërë letërsinë ballkanike, dominuese në Bashkimin Europian

Komisioneri Europian për Arsimin, Kulturën dhe Sportin, Tibor Navraciss i ka dorëzuar dje shkrimtarit Ben Blushi gjatë një ceremonie të mbajtur për këtë rast, çmimin “European Union Prize for Literature”. Një çmim që Blushi e fitoi në Panairin e Librit të Frankfurtit në tetor të këtij viti për cilësinë dhe kreativitetin që shfaqet në veprën “Otello, Arapi i Vlorës”. Ky çmim iu dha 13 autorëve të rinj nga Europa, ku 6 prej tyre janë nga vendet e Ballkanit.

Gjatë ceremonisë Ben Blushi, duke falënderuar organizatorët, tha se ia dedikon këtë çmim viktimës së fundit të ISIS, punonjësit amerikan të ndihmave, i cili u vra barbarisht përpara disa ditësh në Siri, Peter Kassig. Blushi u shpreh se përmes këtij dedikimi synon një sensibilizim të lartë të institucioneve europiane për të luftuar grupe terroriste në të gjithë botën, të cilat kërcënojnë vlerat e lirisë dhe civilizimin tonë . “Europa duhet të bëjë më shumë për të mbrojtur veten dhe lirinë e saj”, – tha Blushi, autori i parë shqiptar që fiton këtë çmim me librin “Otello, Arapi i Vlorës”, për të cilin u shpreh se është një libër kundër racizmit

Ky çmim u jepet shkrimtarëve të rinj europianë me qëllim për të nxjerrë në pah kreativitetin e letërsisë europiane dhe pasurinë e diversitetit të saj, të promovojë qarkullimin e letërsisë në Europë, si dhe të inkurajojë një interes më të madh për veprat letrare në përgjithësi.

Kjo është hera e parë që Shqipëria merr pjesë në konkursin “Europe Creative” dhe nderohet me një çmim. Çmimi qarkullon në 37 vendet europiane dhe çdo vit ndahen trembëdhjetë syresh për autorët e rinj të hapësirës europiane.

Gjatë ceremonisë së djeshme në Bruksel, ajo që është vënë re ka qenë një dominim i autorëve ballkanikë. Bashkë me Blushin kanë fituar edhe pesë autorë nga Serbia, Mali i Zi, Greqia, Bullgaria dhe Turqia. Kusht është që shkrimtarët, pavarësisht nga mosha, të mos kenë botuar më shumë se tre librat e parë. “Otello, Arapi i Vlorës”, i cili ka në qendër historinë e një prej personazheve të famshëm të Shekspirit, është libri i dytë i Blushit, i botuar një vit pas suksesit të bujshëm të të parit “Të jetosh në ishull”, ku politikani Blushi shfaqi një dimension të ri për publikun. Stili rrëfimtar, tashmë i njohur i autorit, gjuha e pasur dhe erudicioni i thellë, e vendosi romanin “Otello, Arapi i Vlorës” në radhën e veprave më të bukura dhe më të arrira të letërsisë shqipe. Jo më kot juria jonë, e përzgjedhur si një nga 13 juritë kombëtare në konkursin ‘Europe Creative’, e përbërë nga Diana Çuli, Mariana Misha, Moikom Zeqo, Bujar Hudhri dhe Petrit Ymeri, mes dhjetëra propozimeve zgjodhën Blushin për të përfaqësuar Shqipërinë në këtë konkurs. Një nuhatje që nuk i zhgënjeu. Fituesit marrin me vete shumën prej 5 mijë eurosh, si edhe mbështetjen nga Bashkimi Europian për përkthimin dhe botimin e veprave në gjuhët europiane. Botuesit e tyre inkurajohen të aplikojnë për fonde nga BE-ja, që librat fitues të përkthehen në gjuhë të tjera për të hyrë në tregje të reja. Vetë ky program ka në themel shfaqjen e literaturës bashkëkohore, nxitjen e shitjeve përtej vendeve të origjinës, përkthimin, publikimin dhe leximin e veprave nga vende të ndryshme të Bashkimit Europian.

Megjithëse sipas Blushit, përkthimi i letërsisë shqipe mbetet sfidë, për shkak të vështirësisë që paraqet shqipja si gjuhë, e panjohur dhe e paeksploruar më parë, janë pesë vende deri tani që kanë shfaqur interes për të përkthyer librin “Otello, Arapi i Vlorës” në gjuhët e tyre.

Libri “Otello, Arapi i Vlorës” i botuar për herë të parë në vitin 2009, është rikthyer sërish në vëmendjen e lexuesit, për shkak të çmimit ndërkombëtar që mori ky libër bashkë me autorin.

Fituesit e Çmimit Europian për Letërsinë

Ben Blushi (Shqipëri), Milen Ruskov (Bullgari), Jan Němec (Republika Çeke); Makis Tsitas (Greqi); Oddný Eir (Islandë); Janis Jonevs (Letoni); Armin Öhri (Lihtenshtejn); Pierre J. Mejlak (Maltë); Ognjen Spahić (Mali i Zi); Marente de Moor (Holandë); Uglješa Šajtinac (Serbi); Birgül Oğuz (Turqi) dhe Evie Wyld (Mbretëria e Bashkuar).

(d.b/MAPO/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb