Transferta e Durrësit është një ndeshje shumë e rëndësishme për Dinamon, që synon të konfirmohet si një nga skuadrat pretendente për këtë sezon.
Ndeshja që luhet të dielën në “Niko Dovana” ka marrë vlerësim maksimal në kampin blu, aq më tepër që Teuta vjen pas një humbjeje dhe natyrisht do të kërkojë rezultatin pozitiv. Trajneri Ilir Daja ka pasur pak më shumë kohë që ta përgatisë këtë ndeshje, ndërsa sot do të japë udhëzimet e fundit për të tijtë.
I NJËJTI EKIP – Me shumë mundësi, Dinamo do të zbresë në fushë me po atë formacion që luajti në derbin me Partizanin dhe në ndeshjen me Skënderbeun, ku mori 4 pikë. Mbrojtja për momentin është e konsoliduar me katërshen Meksi-Hoxha-Muzek-Lorran përpara portierit Sali. Ka vetëm një dilemë për mesfushën, ku Dita pritet të kthehet titullar. Kapiteni e nisi nga stoli ndeshjen e fundit me Skënderbeun për shkak se vinte nga një dëmtim. Ai luajti disa minuta në fundin e asaj sfide dhe të dielën do të kthehet në formacion. Mesfusha do të plotësohet me Karambën, Vilën dhe Zabërgjën, ndërsa në sulm do të luajnë Bregu dhe Mandela. Duke përjashtuar ndonjë surprizë të minutës së fundit, kjo skuadra, me të cilën Dinamo do të kërkojë pikë në Durrës.
ALTERNATIVAT – Disa lojtarë të rëndësishëm të Dinamos, të ardhur në fundin e merkatos, duket se ende nuk janë në gjendjen optimale për të fituar një fanellë titullari. Toli dhe Aliji në fakt janë aktivizuar në pjesët e dyta të ndeshjeve të fundit dhe me shumë gjasa minutazhi i tyre do të rritet nga javë në javë, edhe pse gjithçka varet nga ecuria e lojës. Veçanërisht Toli duket tipi i lojtarit që u bën shumë punë bluve, pasi ka eksperiencë dhe është agresiv. Të gatshëm për trajnerin Daja janë edhe elementë si Gudiabi dhe Qefalija në mesfushë, lojtarë që kanë luajtur titullarë me kryeqytetasit sezonin e shkuar. Jashtë ndeshjes me Teutën mbeten Qardaku dhe Nani.