TIRANE- Flamuri i dronit që u valëvit mbi qiellin e Beogradit gjatë ndeshjes eliminatore të Kampionatit Europian 2016, Serbi-Shqipëri është shndërruar në bluzën më të shitur në dyqanet e suvenireve në kryeqytet.
Vjollca Çela, pronarja e dyqanit të suvenireve “Artistike Ina”, pranë kafe “Europës”, thotë për ATSH-në se “në prag të festave të 28 dhe 29 nëntorit , një risi këtë vit në dyqanin tim janë edhe bluzat e stampuara me flamurin e ngritur me dron në Beograd, të cilat preferohen shumë sidomos nga të rinjtë”.
Në këtë bluzë, vijon ajo, janë stampuar dy patriotët e mëdhenj Ismail Qemali dhe Isa Boletini, si dhe harta e trojeve etnike, duke mos ia ndryshuar kompozimin, por vetëm ngjyrat në varësi të shijes së blerësve.
Ajo thekson se ” më i kërkuari ka qenë varianti i bluzës me flamurin origjinal, si ai që u shpalos mbi stadiumin serb”.
Sipas saj, bluzat çmimi i të cilave varion nga 1000-1200 lekë janë blerë shumë edhe nga shqiptarët që jetojnë jashtë, por edhe nga të huajt.
“Ajo që më çudit është dëshira e madhe e rinisë, për të blerë një bluzë të tillë”, shprehet Vjollca, sipas së cilës, ajo vazhdon prej ditësh të jetë në listën e një prej artikujve më të shitur dhe më të kërkuar.
Marseli, një i ri 23 vjeçar, shprehet se “e bleva bluzën sepse ndihem krenar që jam shqiptar”.
“Gjatë muajve tetor e nëntor, me flamurin e ngritur në Beograd, janë stampuar edhe gotat, flamujt të vegjël, spila, etj”, tregon Çela.
Ndërkohë që si çdo vit nuk mungojnë edhe shitjet e simboleve kombëtare si flamujt kuq e zi, suvenire, aksesorë të ngjyrosur kuqezi apo të stampuar me shqiponjën, kapele dhe bluza, të cilat kanë shënuar një shitje rekord përgjatë muajit nëntor në dyqanet e suvenireve në kryeqytet.
Sipas vëzhgimit të ATSH-së, artikulli më i shitur rezulton flamuri kombëtar, çmimi i të cilit është 300 lekë dhe pas tij vijnë kapelet, bluzat, shallet, etj.
“Në prag të festave kërkesa të shumta kemi pasur edhe për bluza me flamurin kombëtar, për moshat e vogla, si dhe kostume popullore, të cilat i marrin që nga fëmijët e vegjël 4 vjeçarë deri tek nxënësit e gjimnazeve”, thotë Vjollca.
flmauri-3Përveç qytetarëve shqiptarë interesim të madh për simbolet tona kombëtare kanë paraqitur edhe turistë të ndryshëm, që ndodhen në Tiranë në këto ditë të prag festave.




Etiketa: